Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se Komisioni për të Drejtën dhe Pajtimin synon që të krijohet një mekanizëm mbështetës për dialogun e brendshëm mes komuniteteve.
Sipas tij ky do të jetë një komision i pavarur, i paanshëm, jo i udhëhequr nga shteti, por i mbështetur fuqishëm nga të gjithë.
Duke folur në takimin e parë konsultativ për themelimin e këtij komisioni, Thaçi tha se në Kosovën e pasluftës diçka e rëndësishme ka mbetur pa u prekur.
“Dhimbja e shkaktuar nga lufta po rendon në zemrën e secilit kosovar me armiqësitë që ka shkaktuar lufta. Është shume e dhimbshme të shohësh që edhe gjenerata që kanë lindur pas lufte shikojnë moshatarët e komunitetit tjetër me urrejtje. Shoqëria s’mund të ndërtojë të ardhme të mirë nëse mbetet peng i së kaluarës. Sot prezantoj idenë time për një te ardhme më të mirë”, tha Thaçi.
Sipas tij vuajtja është e njëjtë për secilin prind, pa marrë parasysh përkatësinë etnike.
Qëllimi i themelimit të këtij komisioni, sipas presidentit, është nisja e një jete të re për të gjithë qytetarët, duke falur, por duke mos harruar.
Në këtë takim po marrin pjesë edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe përfaqësues të institucioneve tjera. /gazetametro.net.