Loading…

Thaçi: Ta ruajmë identitetin e diasporës

  • 18/11/2016 | 21:35

Thaçi: Ta ruajmë identitetin e diasporës

Në Pallatin e Brigadave në Tiranë ka nisur ceremonia e pritjes nga Kryeministri, Edi Rama në kuadër të Samitit të Diasporës, i cili do të mbahet për tre ditë me radhë (18-20 nëntor) në Tiranë.

I ftuar në këtë ngjarje të rëndësishëm, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se kemi obligim si shtete që të kontribuojmë për ruajtjen e identitetit të diasporës.

Duke vënë në dukje se diaspora ka nevojë për riorganizim, Thaçi nënvizoi se pa të, nuk do kishim të drejta të barabarta në Maqedoni. Sipas tij, diaspora është edhe burim i stabilitetit ekonomik.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit kosovar, uroi dhe shprehu besimin që vitin e ardhshëm, në bashkëpunim mes dy qeverive, kosovare dhe shqiptare, samiti i ardhshëm i Diasporës të mbahet në Prishtinë.

Para shumë përfaqësuesve të diasporës, presidenti Thaçi ka thënë se qysh nga koha e rilindjes kombëtare, diaspora shqiptare ka qenë një prej shtyllave kryesore të përpjekjeve të kombit tonë për liri, pavarësi dhe shtetndërtim.

“Përpjekjet njëshekullore të popullit shqiptar për lirinë e Kosovës ishin gjithmonë të mbështetura nga diaspora, si përmes lobimit politik në qendrat vendimmarrëse botërore, po ashtu edhe me përkrahjen financiare, logjistike dhe njerëzore që kulmoi në përkrahjen e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shtuar ai.

Në këtë samit, presidenti ka kujtuar Jusuf Gërvallën e Kadri Zekën, Enver Hadrin, Agim Ramadanin e qindra dëshmorë që kanë rënë në përpjekjet për çlirim.

Më tej ai ka theksuar se në ditët e sotme, roli i diasporës ka ndryshuar. Sipas tij,  nga përkrahëse e luftës për liri e demokraci, diaspora është shndërruar në burim të stabilitetit socio-ekonomik.

“Ne të gjithë duhet të punojmë që diaspora shqiptare, me potencialin e madh që ka, të shndërrohet në partner i zhvillimit socio-ekonomik, arsimor, profesional, kulturor e sportiv të shteteve tona”, ka thënë ai.

Presidenti ka theksuar se vajzat dhe djemtë tanë, gratë dhe burrat tanë në diasporë sot janë të suksesshëm në të gjitha fushat e jetës, duke filluar nga arti, kultura, muzika, sporti e deri te jeta akademike dhe profesionale, politika dhe biznesi.

“Dhe, duke qenë njerëz punëtorë e të ndershëm, ata janë ambasadorët më të mirë të kombit dhe atdheut të tyre. Sot, diaspora shqiptare ka nevojë më shumë se kurrë për një riorganizim të saj, ndërsa shtetet tona kanë nevojë për të krijuar infrastrukturë sa më të mirë dhe për të qenë partner i përhershëm i bashkatdhetarëve tanë”, ka shtuar ai.

Presidenti ka thënë se si dy shtete kemi obligim që të kontribuojmë në ruajtjen e identitetit kombëtar të diasporës sonë dhe t’u shtrijmë atyre dorën e ngrohtë të shteteve tona.

Sipas tij, ekziston nevoja që diaspora të jetë edhe më shumë e përfshirë në jetën institucionale të vendit.

“Prandaj, në këtë frymë, në kuadër të punës për reformën zgjedhore, do ta trajtojmë edhe mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës për të përcaktuar një numër të vendeve të rezervuara për diasporën”, ka paralajmëruar presidenti.

Thaçi ka thënë se nën modelin e bashkëpunimit të shkëlqyer të organizimit të takimeve në mes të dy qeverive, samitin e  ardhshëm të diasporës do ta organizojmë ne Prishtinë.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në çelje të pritjes tha se sot nis një kapitull i ri midis Shqipërisë e shqiptarëve. “Kemi fshirë distancat që na ndajnë nga njëri tjetri”, tha ai.

Bushati tha se roli i shqiptarëve në diasporë në SHBA e Evropë, ka qenë i pazëvendësueshëm. Ju , tha ai, përfaqësoni sot zërin e më shumë se 1.5 milionë shqiptarëve.

Në këtë samit  marrin pjesë personalitete të politikë shqiptare, por edhe diplomatë.

Për herë të parë në Shqipëri po mbahet Samiti i Diasporës. Rreth 600 shqiptarë të cilët përfaqësojnë diasporën marrin pjesë këtë fundjavë në këtë event. Samiti i Diasporës është një nismë e kryeministrit të vendit, Edi Rama për të vendosur ura të qëndrueshme bashkëpunimi me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

Si një vend me emigracion të zhvilluar prej më shumë se një shekulli, Shqipëria ka një diasporë të gjerë në Europë dhe SHBA. Në radhët e diasporës, përveç intelektualëve, ka edhe shembuj të shumtë të sipërmarrësve të suksesshëm jashtë vendi.

Ura kryesore ekonomike që ka lidhur Shqipërinë me diasporën kanë qenë dërgesat, që ende sot janë një burim i rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Remitancat janë të lidhura kryesisht me emigracionin e pas viteve ‘90. Nga një rekord prej 952 milionë eurosh në vitin 2007, remitancat vitin e kaluar ishin 598 milionë euro.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë