Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, duke folur për zhvillimet e fundit politike në vend, veçanrisht për kalimin e dialogut në nivel presidentësh, ka thënë se kjo nuk ka ndodhur vetëm shkaku i insistimit të presidentit Hashim Thaçi, por edhe me kërkesë të vet BE’së.
“Pjesëmarrjen e Thaçit në Bruksel e përbëjnë dy elemente, nuk është vetëm insistimi i tij të marrë pjesë, por edhe insistimi i BE-së”.
“Ndoshta kjo ka ndodhur për shkak edhe të Nikoliqit, sepse është dashur të detyrojnë atë të ulet në tavolinë në bisedim. Kur Thaçi është ulur aty është dashur të jetë edhe Nikoliqi”.
Gashi në emisionin Info Magazine në Klan Kosova ka thënë se situata e zhvilluar kohëve të fundit dërgon në tensionim.
“Nëse e shohim situatën në nivel ndërkombëtar ka zhvillime mjaft të rëndësishme që kanë krijuar vatra krize edhe në Ballkan si dhe vende të tjera”, ka thënë Gashi.
“Në situatën e brendshme, ka pasur zhvillime interesante dhe shohim se çështja e bisedimeve me Serbinë ka hyrë në një status-quo të heshtur”.
Sipas tij Serbisë nuk i ka konvenuar situata aktuale e bisedimeve me Kosovën, andaj edhe ka marrë veprime.
“Ata kanë bërë ndërhyrje direkte me ndërtimin e murit, kur e panë se me murin nuk kanë ndikim, ata e nisën edhe më trenin”. /gazetametro.net