Loading…
Thaçit s’po ia japin hakun ata që bëjnë garë të ulen edhe në krye të tavolinës së bukës
  • Nga

  • SHKUMBIN B. KAJTAZI

  • 12/11/2018 | 14:01

Thaçit s’po ia japin hakun ata që bëjnë garë të ulen edhe në krye të tavolinës së bukës

Si gazetar që punoj të dielën dhe që më bien në qafë zakonisht zgjedhjet, jo veç vendore, jam mësuar të gjejë zgjidhje për ndonjë kanal të besueshëm të informimit kur bëhet fjalë për ngjarje të rëndësishme në vende të huaja.

Kësaj të diele, meqë ishte një ngjarje e rëndësishme në Paris, mëngjesin e nisa me një kafe turke dhe hapjen e mediumit francez ‘Le figaro’. Ata përdornin raportimin në kohë reale me tekste të shkurtra, zakonisht 5 apo 6 paragrafësh, për të rrëfyer gjithçka ndodhë në një prej ngjarjeve më të rëndësishme për Francën.

Raportimi nisi me pritjet në Pallatin Presidencial Elysee, ku Emmanuel Macron po priste me përqafime secilin lider. Kushedi për çfarë arsye, Macron i priste disa liderë afër derës, e disave u dilte tek vetura. Arsye zyrtare zor se do të kishte, mirëpo unë mendoj që është punë respekti. Sidoqoftë, vazhdojmë me raportimin e ‘Le Figaro’.

Mediumi prestigjioz francez raportonte se në orën 10:00 parashihej të mbyllet pritja në Pallatin Elysee, dhe pas një qëndrimi të shkurtër aty, liderët do të vazhdonin në ‘Arc de Triomphe’ ku do të mbahej ceremonia kryesore në orën 11:00.

Diku rreth orës 10:20, ‘Le figaro’publikon një fotografi ku dukeshin dhjetëra ulëse dhe një listë me emra të liderëve të fuqishëm. Aty sqaronin se kush pranë kujt do të ulej, dhe cilat ishin vendet kryesore. Gazetari francez qartësonte se në vendin kryesor do të ishte presidenti Macron me gruan, në të majtë Putin kurse në të djathtë Angela Merkel. Tutje , vazhdonte gazetari, Trump do të ulet në të djathtë të Merkel, kurse në majtë do ta ketë gruan e tij. Vazhdonte më pas caktimi i vendit edhe për mbretin e Spanjës, e madje edhe të Marokut.

Pas kësaj, në artikullin e përbashkët të gazetarëve Arthur Berdah, Paule Gonzales dhe Adrien Jaulmes, raportohej se liderët po bëheshin gati të udhëtonin nga Elysee në Árc de Triomphe. Lajmi ishte se ishte vendosur që ky udhëtim të bëhej me autobusë. Të gjithë liderët kishin pranuar, përveç presidentin amerikan dhe rus, të cilët udhëtuan me veturat e tyre. Madje, sipas mediave atje, kjo ishte një garë protagonizmi, pasi Trump deshi të vinte i fundit në ceremoni, mirëpo këtë radhë ia kishte kaluar Putin sa i përket vonesës.

Kur ora shënonte 11:10 minuta, nisën pikat artistike të përgatitura për këtë ceremoni. Liderët qëndronin kokëlartë, dhe lëshonin herë-herë ndonjë shikim të pakujdesur, sikur disa mendjemëdhenj që besojnë që e gjithë rruga ka sytë nga ta.

Pas rreth një ore, presidenti francez fiku zjarrin tek varri i ushtarit të panjohur dhe, sipas agjendës, liderët i priste një drekë e përbashkët në Pallatin Elysee. Diku rreth orës 13:30, gazetari Arthur Berdah raportonte për vonesën e një lideri të vetëm në drekë. Ai ishte Donald Trump, i cili akoma vazhdonte të shiste çallëm protagonizmi.

Pak minuta më vonë, kur të gjithë po qëndronin në sallën e pritjes derisa të vinte Trump dhe të niste dreka, publikohet një liste prej 22 personash. Atë e kryesonte Macron, pas tij vinin Trump e Putin, mbretërit e disa vendeve, si dhe kancelarja Merkel. Duhet ta theksojmë se Thaçi mungonte në këtë listë të ngushtë, por kjo nuk është tema.

Pas drekës, liderët kishin pasur takime të shkurta, të cilat Le Figaro i raportonte me tone përshkruese, pasi vetë ngjarja nuk lejonte për takime formale nëpër tavolinat disa metërshe.

Kur ora shënonte 15:10, ‘Le Figaro’publikoi një fotografi ku dukej salla ku do të mbahej Samiti i Parisit për Paqe. Emrat e Putin, Merkel, Macron zinin vendin kryesor. Pas tyre vinin liderë të tjerë, e që këtë radhë dukej emri i presidentit kosovar.

Gazetarët francezë raportuan edhe për gjithçka u tha nëpër këto ngjarje, mirëpo nuk ishin tema kryesore. Kryesore për ta dhe vetë liderët, ishte sjellja dhe raportet mes tyre. Pra, raportohej për lista emrash, vonesa, shtrëngime duarsh dhe përqafime, dhe krejt në fund përmendeshin deklaratat për ‘nevojën për paqe’.

E këto raportime dhe detaje, janë një përgjigje për të gjithë ata kosovarë që kritikën nuk e bëjnë për hatër të vërtetës, por për hatërmbetje të vjetra dhe inate. Ose, e bëjnë edhe sa për hatër të vetë kritikës: Të sharit është trend.

Mirëpo, duhet përmendur këto fakte nga ngjarjet në Paris, e që raportoheshin nga mediumi që shpesh është cituar për shkrimet kundër presidentit kosovar. Ato tregojnë se Parisi ishte shpërfaqje protagonizmi nga të gjithë liderët, përfshirë edhe ata më të fortët, dhe renditja e presidentit Thaçi në një vend të mirë, nuk ishte vetëm një aksident.

E se nuk ishte i tillë, e konfirmoi edhe hatrimi i Vucic-it, për vendin në fund të liderëve. Pra, protokolli që e vendosi këtë radhë presidentin kosovar në krye, nuk është i parëndësishëm, ose është pak më i rëndësishëm sesa ç’e mendojnë kritikët joracionalë

Nejse, e përmenda më herët se si gazetar që ka vite që punoj të dieleve më bie të merrem me këso ngjarje, mirëpo duhet ta them se si gazetar më bie edhe të lexoj mendime të hedhura kuturu në rrjete sociale e media të caktuara, nga njerëz që i njoh mirë dhe jam i bindur që ata bëjnë garë edhe kush të ulet në krye të tavolinave të ngrënies, dhe atë me familjarë.

Pra, kur flasin njerëz që e kanë kompleks protagonizmin, apo e kritikojnë protagonizmin e dikujt vetëm sepse vetë kanë mbetur nën hijen e disa fletëve të kalbura të politikës, nuk duken dhe aq kritikë racionalë.

E kur jemi tek racionaliteti, thënë më mirë tek joracionaliteti, del qesharake kritika se ‘nuk është asgjë të kesh një vend në krye dhe të takohesh me Trump e Merkel’, nëse më herët të njëjtët njerëz e kanë kritikuar presidentin se ‘nuk e ka me askënd mirë dhe s’po takohet askush me të’.

Për fund, këtyre unë prapë ua falë gjithë acarimin e nervave që më sollën me shpërfaqjen e kompleksitetit dhe naivitetit, por s’mund t’ua falë kurrë që më detyruan që, në një formë, ta mbrojë një paraqitje të mirë të presidentit Thaçi në Paris, ani pse mund të mos ketë qenë ai meritori për këtë. Nuk ua falë, pasi Thaçi do të qëndrojë në krye të listës së njerëzve që kam kritikuar, edhe kur do t’i bëjë 10 vjet pensionim.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë