Loading…

Theqafja fillon të martën!

  • Nga

  • ARTON MUSLIU

  • 14/06/2021 | 16:56

Theqafja fillon të martën!

“Nëse Kurti thotë se nuk dëshiron të flasë për Asociacionin e Komunave Serbe, por që ne ta njohim Kosovën, atëherë ai nuk ka pse të vijë (në Bruksel)”, kishte thënë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, para njëmbëdhjetë ditësh.


Shkruan: Arton Musliu

“Gjithçka që është rënë dakord, duhet të zbatohet”, kishte thënë zëdhënësi i BE- së, Peter Stano., para pesë ditësh, duke aluduar në Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Në Kosovë nuk do të ketë asociacion njëetnik”, kishte thënë Kurti, para trembëdhjetë ditësh. Pra, sipas Kurtit, asociacion do të ketë. Njëetnik nuk ka qenë as më parë!

Mbi këto tri premisa e pozicione paraprake e nën hijen e kërkesës për zgjërimin e zonave të veçanta të Kishës Ortodokse, që dikur kryeministri aktual e quante shqiptare, e tashmë nuk e quan dot, po rifillon dialogu i vjetër, nga një njeri tjetër.

Nuk është në agjendën e dialogut me ish zëdhënësin e Millosheviçit, as njohja reciproke, nuk është as marrëveshja finale, e nuk është as liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës. Të martën në Bruksel, Kryeministri Kurti e Presidenti Vuçiç do ti shtrëngojnë duart për të negocuar mëpastaj për organizimin e brendshëm territorial të Republikës së Kosovës.  Theqafja tashmë ka fillu.

Sepse nuk ka se si të jetë ndryshe. Pozicionimi në politikë është fundamental. E pozicionimi i Kryeministrit Kurti karshi dialogut me Serbinë, është antipodi i qëndrimeve të tij përgjatë një dekade. Shpërfytyrim total. Shpërfytyrim i një njeriu që për më shumë se një dekadë luajti me ndjenjat e kategorive më të ndjeshme të shoqërisë, i manipuloi dhe mashtroi ato, në mënyrën më të ulët të mundshme.

Nëse dikur Albin Kurti thoshte se nuk duhet të shkohet në dialog me Serbinë, pa na i kthy trupat e të pagjeturve, nuk duhet të shkohet në dialog me Serbinë pa kërku falje Serbia për gjithë çfarë ka bërë gjatë luftës së fundit në Kosovë, nuk duhet të shkohet në dialog me Serbinë derisa Serbia ta pranoj atë çfarë ka bërë në Kosovë, nuk duhet të shkohet në dialog me Serbinë derisa Serbia të kërkoj falje për të gjitha krimet që ka bërë në Kosovë, nuk duhet të shkohet në dialog derisa Serbia të pranoj të vërtetën e saj në raport me Kosovën, nuk duhet të shkohet në dialog me Serbinë për pa e njohur Kosovën, sot ai nuk e thotë dot asnjërën.

Mbi dhjetë mijë shqiptarë civil të vrarë, mbi 1400 fëmijë të vrarë, mbi 400 masakra, qindra mijëra qytetarë të persekutuar, mbi 120 mijë shtëpi të djegura e shkatërruara, mijëra gra të dhunuara, një ekonomi e tërë e shkatërruar, mbi 200 faltore të shkatërruara e mbi një milion njerëz të dëbuar. Ky është bilanci i luftës së fundit në Kosovë për të cilin Kryeministri nuk ka asnjë ndjenjë, e as një konsideratë. Të gjitha këto krime kundër njerëzimit mbi shqiptarët e Kosovës janë kryer nga regjimi i Millosheviçit, pjesë e të cilit ka qenë edhe njeriu me të cilin Kryeministri Kurti do të shtrengon duart të martën. Ky është kapërcimi moral, politik e patriotik që Albin Kurti nuk e ka problem ta bëjë. Krejt kjo, veç për një karrige. Karrige për të cilën dikur thoshte se nuk duhet ulur kurrizin. Nuk them se duhet përjashtu dialogu apriori. Por, nga pikëvështrimi i Kurtit ky dialog nuk ishte i hajrit. Ndërkohë që qasja e Bashkimit Evropian në raport me Kosovën nuk është aspak miqësore.

Por për çfarë po shkon në dialog Kryeministri Kurti? Çka fiton Kosova nga ky dialog?

Me këtë proces të vjetër të dialogut, të cilin Kryeministri po e vazhdon, Kosovës po i servohet një rrezik shumë i madh. Rreziku i një entiteti të veçant serb në Kosovë, i cili do t’i këtë dy koka. Një kokë në Mitrovicën Veriore dhe një në Dukagjin. Gjarpëri me dy koka, anakonda, është modeli. Një gjarpër me dy koka, tri mushkëri, dy mëlçi dhe dy stomakë. Pra, kërkesa e Serbisë është sajimi i një entiteti të veçant territorial dhe politik, siç është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, me qendër në veri, dhe zgjërimi i zonave eksterritoriale të Manastirit të Deçanit, duke e zhvendosur qendrën e Kishës Ortodokse në Pejë. Përfshirja e Manastirit të Deçanit në shtatë objektet më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore në Evropë, nga Europa Nostra, paralajmërimi për ardhjen e një ekipi vlerësues në muajin e ardhshëm për të vlerësu nivelin e kinse rrezikimit të Manastirit të Deçanit, refuzimi që i është bërë Kryeministrit për të vizitu këtë Manastir dhe së fundi dhe liturgjia që është bërë javën e kaluar në gërmadhën Millosheviçit, që gjendet në oborrin e Universitetit të Prishtinës, kan dy qëllime. Kriimin e një situate se kinse trashëgimia serbe kulturore dhe fetare në Kosovë po rrezikohet dhe zgjërimin e zonave të veçanta përmes procesit të dialogut në Bruksel. Prandaj, takimi i të martës, po bëhet edhe për këtë projekt i cili në fakt minon shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe defunksionalizon atë përbrenda.

Këto dy entitete, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe organizimi eksterritorial i Kishës Ortodokse, do të kenë edhe organe të brendshme qeverisëse të cilat nuk do t’i japin llogari e as përgjegjësi institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës. Praktikisht, ky është rreziku dhe kërcënimi më i madh që po i bëhet Kosovës përmes rifillimit të këtij dialogu të vjetër, nga një njeri tjetër. Rreziku i gjarpërit dy kokësh, anakonda, i cili do të zhbëjë ngadal, por sigurt dhe pakthyeshëm trupin e Republikës.

Prandaj, theqafja fillon të martën. Por, sa më shpejtë që të ndalet, aq më mire për shqiptarët.

(Autori është njohës i çështjeve juridike, botues i dy librave universitare nga shkencat juridike).

 

Më të fundit
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë