Gazetari i njohur spanjoll, Gerard Romero, raportoi se Lionel Messi është më afër largimit nga Paris Saint-German sesa zgjatjes së kontratës. Ndërkaq, gazetari tjetër Sergio Gonzalez ka treguar tre arsye të veçanta pse Messi dëshiron të largohet nga kryeqyteti i Francës, transmeton Gazeta Metro.
Një kthesë interesante ka ndodhur ditëve të fundit rreth të ardhmes së sulmuesit të PSG’së.
Pas përfundimit të Kupës së Botës u raportua se argjentinasi do të qëndronte në Paris, derisa u përfol se kishte arritur marrëveshje verbale me kampionët e Francës. Por, siç duket situata ka ndryshuar.
Gazetari Sergio Gonzales ka renditur tre arsye pse Messi dëshiron të largohet nga PSG.
Fillimisht, ai thotë se marrëdhëniet me fansat dhe mediat nuk janë edhe aq të mira.
Ai përmend rastin kur Messi dhe Neymar u brohoritën sezonin e kaluar nga tifozët e klubit në ndeshjen kundër Bordeaux. Nga ana tjetër, Kylian Mbappe është duartrokitur.
Sipas tij as mediat franceze nuk janë treguar dashamirëse ndaj 35-vjeçarit. Ai edicionin e kaluar u ‘sulmua’ për paraqitje e dobëta dhe së fundi ka ndikuar fitorja e Argjentinës në finale të Kupës së Botës kundër Francës.
Gonzalez thotë se arsyeja tjetër është marrëdhënia e ftohur me trajnerin, Christophet Galtier, që sipas tij nuk është ashtu siç paraqitet në media.
Në fund dhe jo më pak e rëndësishmja është ndikimi i lartë i Kylian Mbappes në skuadër.
Sipas raportimeve një nga gjërat që e shtyu francezin të refuzoi Real Madrid dhe të rinovoi kontratën me PSG’në gjatë verës ishte që do të ketë fuqi në klub.
Sipas raportimeve ai ka kontroll në transferime dhe thuhet se kjo nuk i ka pëlqyer pjesës tjetër të lojtarëve.
Prandaj, edhe Messi dëshiron të largohet nga parisienët ”për të shpëtuar veten nga telashet e përplasjes me Mbappe në të ardhmen”.
Gjatë këtij edicioni fituesi i shtatë herë të Topit të Artë është paraqitur në 21 ndeshje në të gjitha garat. Ai ka shënuar 13 gola dhe ka regjistruar 14 asistime. /gazetametro.net