Loading…

TI: Kosova më e korruptuara në rajon  

  • 16/11/2016 | 16:42

TI: Kosova më e korruptuara në rajon   

 

Në barometrin e korrupsionit që ka realizuar Transparency international tregon se 66 përqind e qytetarëve të Kosovës mendojnë se korrupsioni është problemi thelbësor me të cilin përballen shoqëritë e tyre.

Por jo vetëm qytetarët e Kosovës kanë këtë problem. Korrupsioni si problem thelbësor ka dalë të jetë edhe për qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës, Kroacisë, Spanjës e Moldavisë.

Ndërsa një përqindje më e vogël del të jetë për qytetarët e Serbisë ku 39 për qind e qytetarëve e vlerësojnë si kryesorin, ndërkohë që në Maqedoni dhe Mal të Zi kjo për qindje arrin në 34 dhe 31 përqind.

Në Barometrin Global të Korrupsionit shumica e qytetarëve gjithandej Evropës dhe Azisë Qendrore i shohin problemet me korrupsionin të ndërlidhura me politikën. Në bazë të hulumtimit, deputetët e Parlamenteve shihen si më të korruptuarit dhe pas tyre vijinë zyrtarët e qeverive, transmeton REL.

Sektori privat është gjithashtu i parë si i korruptuar, ndërkohë që afërsisht 25 për qind e qytetarëve mendojnë se zyra presidentit, zyrtarët e taksave, policia, gjykatësit dhe këshilltarët e kuvendeve komunale janë të korruptuar.

Liderët fetarë vlerësohen më pak të korruptuar dhe ndodhen në grupin e fundit dhe vetëm 17 për qind e qytetarëve mendojnë se ata janë të përfshirë në korrupsion.

Qytetarët e Ukrainës, Shqipërisë dhe Bosnjë Hercegovinës, si dhe të Rumanisë, kanë më shumë gjasa që të mendojnë se parlamentarët e tyre janë të korruptuara.

Në këto vende, më shumë se gjysma e qytetarëve thonë se përfaqësuesit e tyre janë shumë të korruptuar, me tri të katërtat në Moldavi p.sh. (76 për qind), ndërkohë që Kosova radhitet lart në listë, me 46 për qind të qytetarëve që mendojnë se deputetët e Parlamentit janë të korruptuar.

Në Gjermani, Zvicër, Holandë, Grenlandë dhe Belgjikë, qytetarët i shohin deputetët e parlamenteve të tyre të jenë të pastër.

Më shumë se gjysma e qytetarëve të vendeve të BE-së, rreth 53 për qind, e kandidatëve për anëtarësim, 53 për qind gjithashtu, pastaj vendet e ish- bllokut të Bashkimit Sovjetik, 56 për qind, mendojnë se qeveritë e vendeve të tyre janë të pasuksesshme në luftën kundër korrupsionit.

Transparency International ka biseduar me 60 mijë qytetarë në 42 vende të Evropës dhe të Azisë Qendrore që në raportin “Njerëzit dhe korrupsioni në Evropë dhe Azinë Qendrore”, të arrijnë në përfundimet e Barometrit Global të Korrupsionit për vitin 2016.

Mesatarisht një nga 6 amvisëritë paguajnë ryshfet për të pasur qasje në ndonjë prej shërbimeve publike. Megjithëse ky është nivel më i ulët në BE, në lindje kjo përqindje është në rritje.

Në Taxhikistan, ku ryshfetet për shërbimet publike që do të duhej të ishin të qasshme për të gjithë dhe pa pagesë, paguajnë rreth 59 për qind e qytetarëve, në Modavi 42 për qind dhe Rusi 34 për qind.

Rumania është vendi me shkallën më të lartë të pagesës së ryshfetit për shërbimet publike, në mesin e vendeve të BE-së, dhe Lituania e pason me 24 për qind.

Në rajonin e Ballkanit, për shërbime publike më së shumti ryshfet jepet në BeH, 27 për qind, në Serbi 22 për qind, kurse në Kroaci dhe Kosovë rreth 10 për qind.

Një nga gjetjet kryesore të raportit është se një numër i madh i qytetarëve, edhe brenda BE-së, mendojnë se individë të pasur kanë shumë ndikim në vendimet që i marrin qeveritë.

Në vendet kandidate për anëtarësim në BE, përqindja arrin në 44, kurse në vendet e ish Bashkimit Sovjetik në 46 për qind.

“Korrupsioni është një problem thelbësor në gjithë Evropën dhe në rajonin e Azisë Qendrore. Në vendet e BE-së shumë qytetarë shohin se si të pasurit dhe zyrtarët e qeverive shtrembërojnë sistemet në dobi të tyre”, thotë Jose Ugaz, kryetar i TI-së.

Një prej problemeve kryesore në luftën kudnër korrupsionit është mungesa e mbrojtjes së atyre që flasin kundër korrupsionit.

Madje, 30 për qind e qytetarëve në Evropën dhe Azinë Qendrore që kanë marrë pjesë në anketën e TI-së thonë se një nga problemet kryesore pse nuk e lajmërojnë korrupsionin është frika nga individë të caktuar.

Dy në pesë persona që e kanë lajmëruar korrupsionin kanë qenë viktima të hakmarrjes.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë