Granit Xhaka është një nga lojtarët më të mirë aktualisht tek Arsenal dhe njëkohësisht edhe një nga më të pëlqyerit nga tifozët, të cilët shpesh herë thërrasin emrin e tij në shkallët e stadiumit, transmeton Gazeta Metro.
Xhaka dhe tifozët tashmë kanë harruar përplasjen e famshme të tyre në vitin 2019 në ndeshjen kundër Crystal Palace.
Atëkohë reprezentuesi zviceran u sulmua ashpër nga tifozët në momentin kur u zëvendësua nga ish-trajneri i Arsenal, Unai Emery, teksa u përgjigj duke sharë ata kur po ecte për në dhomat e zhveshjes.
Karriera e tij në skuadrën nga Londra Veriore dukej se kishte përfunduar pas incidentit, i cili bëri që Xhakës t’i hiqej shiriti i kapitenit.
Megjithatë, gjërat kanë ndryshuar nga ajo kohë dhe Xhaka tani pëlqehet jashtëzakonisht shumë nga tifozët, sidomos këtë sezon që ka bërë paraqitje të shkëlqyeshme.
”Ne kemi Granit Xhakën, ne kemi Granit Xhakën,” janë thirrjet që dëgjohen shpesh herë në ‘Emirates’ apo edhe në stadiumet tjera në Angli.
30-vjeçari ka luajtur 38 ndeshje këtë stinor në të gjitha garat duke shënuar gjashtë gola dhe duke asistuar në pesë të tjerë.
Në Premier League është paraqitur në të gjitha sfidat nga minuta e parë përveç ndeshjes kundër Bournemouth që luajti vetëm gjashtë minuta. /gazetametro.net