Ministri i Jashtëm maqedonas Nikola Poposki, ka vlerësuar si të pahijshme dhe ndërhyrje të papërshtatshme të Shqipërisë dhe Kosovës në punët e brendshme të Maqedonisë.
“Nuk është e sjellshme, dhe as e përshtatshme kur një kryeministër apo president i një vendi fqinj të ndërhyjë drejtpërdrejt në punët e brendshme, sidomos gjatë zgjedhjeve të zhvilluara në mënyrë demokratike dhe para formimit të qeverisë. Po dërgohen sinjale të gabuara në rajon. Natyrisht që kjo qasje është e rrezikshme në një vend me një traditë multikulturore. Është shumë larg nga praktika e fqinjësisë së mirë. Nëse ne të gjithë pajtohemi se e ardhmja jonë është në Evropë, atëherë lufta është për të siguruar stabilitet, paqe, drejtësi dhe prosperitet ekonomik për të gjithë qytetarët. Çdo herë kemi qenë shumë të drejtë në bashkëpunim me fqinjët. Mirë do të ishte që edhe ata të bashkohen me ne në këtë rrugë, në vend të vendosjes së minave që bartin rrezik për të gjithë”, theksoi Nikolla Poposki, për çështjen e ndërhyrjes së Tiranës dhe Prishtinës në punët e brendshme të Maqedonisë.
Reagimi vjen pas publikimit të një platforme të përbashkët të BDI, Lëvizjes Besa dhe Aleancës së shqiptarëve, e cila u shfaq pas takimit të liderëve partiak me zyrtarë të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës.