Ka përfunduar derbi më i madh në Shqipëri mes Partizanit dhe Tiranës me rezultat 0-2. Në një atmosferë të mrekullueshme në ‘Air Albania’ derbi i 194’të i takoi bardhë e kaltërve, transmeton Gazeta Metro.
Skuadra e drejtuar nga Orges Shehi falë dy golave të shënuar nga super sulmuesi, Redon Xhixha arriti të marrë tre pikët në javën e gjashtë të kampionatit shqiptar.
Fillimisht, ai përmirësoi gabimin e tij pasi në minutën e 25’të dështoi të realizoi nga pika e bardhë, goditjen e të cilit e priti për mrekulli portieri, Bekim Rexhepi.
Por, rolet u ndërruan në fund të pjesës së parë pasi Rexhepi lëshoi portën dhe nuk e perceptoi mirë situatën, ku Xhixha përfitoi shumë mirë dhe e dribloi portierin për të shënuar golin e avantazhit.
Në pjesën e dytë Partizani filloi të kërkoi golin e barazimit, ku kishte disa raste shumë të mira megjithatë portieri kosovar, Visar Bekaj në disa raste intervenoi shumë mirë.
Atëherë, kur Partizani sulmonte nga të gjitha anët në një kundërsulm individual Redon Xhixha shënoi edhe golin e dytë dhe të fitores.
Vlen të theksohet, se Tirana luajti me një lojtar më pak nga minuta e 37’të pasi u ndëshkua me karton të kuq mbrojtësi, Bruno Lulaj.
Ndërkaq, me një futbollist më pak mbeti edhe Partizani në fund të ballafaqimit pas kartonit të kuq të mesfushorit, Geraud Massanga.
Tirana me këto tre pikë tani radhitet në pozitën e dytë në tabelë me 11 pikë, një më pak se Partizani.
Gara për titull në Superligën e Shqipërisë është mjaft interesante për faktin se edhe Bylis dhe Erzeni kanë nga 11 pikë. Ndërsa, prapa nuk qëndron as Vllaznia e Shkodrës me 10 pikë. /gazetametro.net