Loading…

Aktakuzat e para të Speciales, në periudhën mars-qershor

  • 18/01/2017 | 21:15

Aktakuzat e para të Speciales, në periudhën mars-qershor

Avokati Tomë Gashi ka qenë përfaqësuesi i vetëm i Kosovës në një konferencë të thirrur nga Gjykata e Hagës për Dhomat e Specializuara për Kosovën.


Gashi në një intervistë për ‘Indeksonline’ ka thënë se në këtë konferencë është bërë e ditur se aktakuzat e para nga Gjykata Speciale pritet të nisin prej periudhës mars-qershor të këtij viti. Sipas tij, përveç kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, David Schwendiman, askush tjetër nuk e di kohën e saktë se kur do të dërgohen aktakuzat, apo se kush janë të akuzuarit.

Megjithatë, Gashi ka thënë se Gjykata Speciale ka  bërë rekrutimin e stafit të saj dhe gjykata është e përgatitur për nisjen e seancave për aktakuzat e para.

“Aty është thënë që aktakuzat pritet që të jenë në mes të muajit mars dhe qershor të këtij viti. Mirëpo, definitivisht atë nuk e din askush përveç  Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, David Shëendiman. Sido që të jetë edhe funksionalizimi i Gjykatës Speciale është kryesisht afër. Ata një pjesë të madhe të stafit të vet e kanë rekrutuar, janë në pritje edhe disa prej çështjeve teknike dhe organizative. Ajo mund të jetë e përgatitur për nisjen e gjykimeve të para, por kjo krejt varet nga kryeprokurori special se kur ai do t`i dërgojë aktakuzat e para në gjykatë. Gjykata nuk mund të nis seanca pa pasur aktakuza të dorëzuara aty. Unë besoj që aktakuzat e para do të jenë për disa muaj, nuk mund të themi datë të caktuar askush dhe nuk dihet kush do të jenë të akuzuarit e parë”, është shprehur Gashi.

Sipas tij, aktakuzat e para nuk do të dalin publikisht, por Gjykata Speciale do të përdorë mënyrën diplomatike për të arrestuar transferuar të akuzuarit. Kjo, për shkak se të akuzuar mund të jenë zyrtarë të lartë të shtetit dhe liderë të partive politike në vend.

“Unë nuk pres që aktakuzat e para të dalin publike, por pres që persona të caktuar të arrestohen dhe të dërgohen në Gjykatën Speciale në Hagë. Aty është edhe qendra e paraburgimit, faktikisht e njëjta me atë që është përdorur në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi. Mirëpo, nëse eventualisht zyrtarë të lartë shtetërore mund të jenë të akuzuarit e parë, ata besoj që në mënyrë diplomatike do të bëjnë njoftime jo publike për ta dhe mund të aranzhohet më lehtë dhe me më pak dhimbje transferimi i tyre në Gjykatën Speciale. Nuk është e parapame mundësia e gjykimit në mungesë. Pra, pa marrë parasysh kush çfarë funksioni ka, deri të zyrtarët më të lartë shtetërore, mund të jenë shënjestër e Gjykatës Speciale nëse akuzohen nga Prokuroria Speciale për periudhën kohore prej 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor të vitit 2000”, ka sqaruar Gashi.

Me nisjen e arrestimeve dhe aktakuzave të para, Gashi thotë se do të ndodhin ndryshime të mëdha politike në Kosovë. Sipas  tij, është e dhimbshme që vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme jo nga kutitë e zgjedhjeve, por për shkak të Gjykatës Speciale.

Megjithatë, është shprehur ai, janë deputetët ata që vetë kanë zgjedhur këtë rrugë duke e votuar një gjykatë për veten e tyre e cila mund t`i prekë edhe ata.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë