Loading…

‘Tradhtia’ e madhe e Thaҫit ndaj Kosovës me lidhjen e ‘marrëveshjes’ me NATO

  • Nga

  • ARBËR AHMETI

  • 27/02/2020 | 11:53

‘Tradhtia’ e madhe e Thaҫit ndaj Kosovës me lidhjen e ‘marrëveshjes’ me NATO

Disa javë pas publikimit të hulumtimit të RAND Corporation për rëndësinë dhe efektet deterrente të prezencës së trupave amerikane në territoret e shteteve partnere, Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Kurti, më në fund zbuloi tradhtinë e madhe të Thaҫit për të cilën është akuzuar që një dekadë.

Shkruan – Arbër Ahmeti

Tradhtia e madhe e Thaҫit, për të cilën kemi ditur të gjithë por se kemi ditur saktësisht se ҫka është, si duket është një letërkëmbim me sekretarin e përgjithshëm të NATO’s, dhe ky letërkëmbim paska rrezikuar shtetësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Letërkëmbimi mes Thaҫit dhe Rasmussenit, nuk është marrëveshje ndërkombëtare, në fakt nuk është fare marrëveshje, por shprehje e përkushtimit në bashkëpunimin me NATO’n dhe forcën e saj në Kosovë, e cila është përgjegjëse dhe garantuese e sigurisë në vend. Po ashtu prezenca e NATO’s në Kosovë është edhe deterrenti i vetëm ndaj invazionit serb, apo kryengritjeve të armatosura serbe përbrenda Kosovës. Si duket kjo nismë e Kryeministrit është fillimi i fushatës së tij për të përmbushur premtimin për të kthyer dialogun në pikën zero, meqenëse deri tash ai nuk ka qenë protagonist në proces dhe si pasoj çdo gjë që është arritur deri tani nuk përmban vulën e legjitimitetit.

Pas hulumtimit të arkivave të qeverisë dhe zbulimit të tradhtisë së Presidentit Thaҫi, qeveria e cila po heziton të marrë vendime rreth çështjeve kryesore që e presin para, publikoi një opinion elegant në kuptimin e absurdit me qëllim të fillimit të procedurave të shkarkimit të Presidentit, duke e marrë vetë primatin në konstatimin e shkeljeve kushtetuese. Sipas qeverisë, Thaҫi me letërkëmbimin e tij që i dha garanci NATO’s që FSK’ja do të veproj në veri të vendit vetëm pas konsultimit me KFOR’in, paska marrë obligime ndërkombëtare dhe e ka deleguar sovranitetin tek një organizatë ndërkombëtare, gjë që sipas ligjit dhe kushtetutës do duhej të ratifikohej në Kuvend.

Është e saktë që obligimet shtetet mund ti marrin përmes deklaratave të njëanshme që prodhojnë detyrime juridike dhe nuk duhet një palë tjetër e madje as pranimi i deklaratës që një shtet të marrë detyrime ndërkombëtare (Nuclear Tests, Judgment, I.C.J. Reports 1974, p. 253, para. 43). Mirëpo kompetenca dhe detyrime për palën tjetër nuk mund të krijohen njëanshëm. Në rast se letra e garancive do të krijonte kompetenca të reja për NATO’n, kjo e fundit do të insistonte që kjo bartje e kompetencave të ratifikohej në Kuvend me qëllim të ligjshmërisë dhe hyrjes në fuqi të marrëdhënies së re të krijuar.

Hartuesi i opinionit thirret në Konventën e Vjenës për të Drejtën e Traktateve kur konstaton marrjen e obligimeve ndërkombëtare dhe bartjen e sovranitetit te një organizatë ndërkombëtare. Për ta bërë të qartë për opinionin, nëse letra e garancive e dërguar nga Thaҫi do të ishte marrëveshje ndërkombëtare, ajo nuk do të qeverisej nga Konventa në fjalë, për shkak se Konventa e Vjenës qeverisë vetëm traktatet mes shteteve, dhe jo mes shteteve dhe organizatave ndërkombëtare. Nëse një marrëdhënie e tillë do të ishte ekzistente do të qeverisej nga e drejta zakonore ndërkombëtare dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka trajtuar Konventën disa herë në çështje ku jo të dy subjektet kanë qenë palë e Konventës duke cilësuar pjesë të saj si reflektim i të drejtës zakonore ndërkombëtare. (Gabčíkovo-Nagymaros Project case, I.C.J. Reports 1997, p.38, para. 46; p. 66, para. 109) Hartuesi i opinionit e konstatoi si merren obligimet dhe kush i ka autorizimet për ta bërë një gjë të tillë, por nuk shkoi më tutje për të konsideruar se ҫka është marrëveshje ndërkombëtare.

Garancitë që Hashim Thaҫi i dha sekretarit të përgjithshëm të NATO’s, së pari nuk mund të konsiderohen si marrje e obligimeve ndërkombëtare, për shkak se garancitë e dhëna nuk krijojnë obligime të reja në legjislacionin e Kosovës dhe nuk krijojnë kompetenca të reja për prezencën e NATO’s në Kosovë.

Së dyti, në rast se dhënia e garancive do të krijonte kompetenca të reja, atëherë do duhej një marrëveshje ku të dy palët do të ishin subjekte të saj, pasi që nuk është e mundshme që njëanshëm të krijohen obligime për një palë tjetër.

Së treti, NATO është neutrale ndaj statusit të Kosovës, dhe prezenca e saj në Kosovë është rregulluar përmes Rezolutës 1244, dhe është afirmuar në Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.NATO duke qenë neutrale, nuk ja njeh Kosovës kapacitetin për të bërë marrëveshje ndërkombëtare me NATO’n.

Së katërti, Konventa e Vjenës për të Drejtën e Traktateve, në Nenin 2 shprehet se “traktat është një marrëveshje ndërkombëtare e lidhur në mes shteteve në formë të shkruar dhe që qeveriset nga e drejta ndërkombëtare…”. Ky klasifikim merret si baza e definimit se ҫka është një marrëveshje ndërkombëtare dhe konsiderohet se reflekton të drejtën ndërkombëtare zakonore. (Land and Maritime Boundary betëeen Cameroon and Nigeria, I.C.J. Reports 2002, p. 303, para. 263)

Një prej kushteve që një marrëveshje të bie nën definicionin e traktatit, është qeverisja nga e drejta ndërkombëtare. Varet prej llojit të marrëveshjes se çfarë ligji të aplikueshëm e zgjedhin shtetet për ta qeverisur marrëveshjen, por në rastin e transferimit të sovranitetit të cilat janë akte pacta iure imperi, imponimi i të drejtës ndërkombëtare mbi marrëveshjen është më i madh se, le të themi tek marrëveshjet e natyrës komerciale që janë pacta iure gestionis. A qeveriset pra letra e garancisë së ish-kryeministrit Thaҫi nga e drejta ndërkombëtare? JO. A prodhon letra e Thaҫit marrëdhënie të reja juridike mes Kosovës dhe NATO’s, pasi krijimi i marrëdhënieve juridike janë kërkesa kryesore që bënë dallimin në mes të marrëveshjeve që prodhojnë detyrime juridike dhe instrumenteve që nuk prodhojnë detyrime juridike?

Letra e garancive që Thaҫi i drejton NATO’s nuk prodhon efekte të reja juridike. NATO nuk është në Kosovë si pasojë e ndonjë marrëveshje me Kosovën, dhe mandati i saj nuk varet nga aprovimi i Kosovës. Letra e garancive natyrisht se prodhon efekte politike, që duhet të interpretohen si përkushtim në bashkëpunimin me NATO’n në garantimin e stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë.

Letra shpreh vullnetin e Kosovës për të thelluar partneritetin me NATO’n, dhe në rast se situata tëcaktuara të llojit ku ushtria duhet të aktivizohet krijohen, nuk duket e besueshme se vetë NATO do rrinte duarkryq dhe së pari s’do të plotësonte detyrat e saj, dhe se nuk do të jepte aprovimin që FSK të angazhohet për të stabilizuar situatën. Por mos të harrojmë që rastet kur FSK aktivizohet sipas mandatit, janë shumë specifike dhe jo fort të përditshme.

Për fund, si mund të shkarkohet Presidenti përderisa nuk ka kryer në të kaluarën ndonjë veprim që mund të konsiderohet sekret apo marrëveshje. A ka sens të penalizohet Presidenti për komunikimin me partnerët kryesor që garantojnë shtetësinë e Kosovës?

Si duket zyra e kryeministrit paska zbuluar një sistem normativ paralel në të cilin akti në fjalë cilësohet edhe marrëveshje edhe sekret edhe i jashtëligjshëm. Në vetvete nisma e fundit e Kryeministrit është non-sens i llojit të vet, pasi na tregoi edhe njëherë që problemin e ka me akterët dhe jo me përmbajtjen e akteve të caktuara, siҫ u shpreh edhe vetë në konferencën e mbajtur. Në vend se të merret me nisma të tilla shterpe dhe që shpërfaqin hapur deficitet që ka qeveria e tanishme, Kryeministri të filloj me marrjen e qëndrimeve dhe vendimeve karshi opsioneve që na paraqiten në proceset që na presin para, dhe jo të bëjë akrobacira të tilla juridike që në fund të fundit janë edhe qesharake edhe të pafrytshme.

(Arbër Ahmeti është jurist me interesa studimore në fushën e të drejtës ndërkombëtare dhe kjo kolumne është shkruar enkas për Gazeta Metro.)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë