Zyrtarja e lartë e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, reagoi me tone mjaft të ashpra dhe fyese ndaj të parit të Prishtinës, Përparim Rama, pas kritikave që ky i fundit drejtoi ndaj pushtetit aktual, transmeton Gazeta Metro.
Përmes një reagimi në rrjete sociale, Mihali hodhi akuza të rënda ndaj Ramës, duke pretenduar se ai po shfrytëzon një fatkeqësi me viktima për përfitime politike, ndërsa nuk kursente as ironinë për deklaratat e tij.
“Paske përdorur një tragjedi për të zhgarravitur prapë me ChatGPT. Përparim Rama, ti narkotikun si e merr? Me kontratë njëburimore apo me ofertën me çmimin më të lirë, nga tre ofertat? Hera-herës kur përfundon emergjencave duket se me çmimin më të lirë”, shkroi Mihali.
Ajo gjithashtu ngriti kritika për gjendjen në kryeqytet, duke përmendur problemet me pastërtinë dhe menaxhimin e mbeturinave në disa lagje të Prishtinës.
“Minjtë vijojnë nëpër lagjet e kryeqytetit, bashkë me plehrat. Kryetari jo, po Përpamiu”, përfundoi ajo në postim.
Ndërkohë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, më herët kishte kritikuar Qeverinë e Kosovës pas aksidentit në autostradë dhe vendimit për ndarjen e 4.67 milionë eurove për pastrimin e dheut në një segment të saj. Sipas tij, qytetarët po përballen me kosto të lartë “me jetë dhe me taksa”, duke akuzuar nivelin qendror për reagim të vonuar dhe neglizhencë./gazetametro.net