Të dhëna të reja kanë dalur lidhur me ngjarjen e rëndë rrugore që ndodhi në Denizli të Turqisë, ku tetë persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë pësuan lëndime pasi një autobus pasagjerësh u kaplua nga zjarri, transmeton Gazeta Metro.
Mjeti, i cili ishte nisur nga Izmiri drejt Antalias, dyshohet se humbi drejtimin gjatë lëvizjes dhe u përplas në mbrojtëset anësore të autostradës. Pas goditjes, automjeti u përfshi nga flakët, duke shkaktuar pasoja të rënda për udhëtarët.
Mes viktimave ndodhet edhe një foshnje nëntëmuajshe. Mediat turke raportojnë se babai kishte tentuar ta mbronte të birin duke e mbuluar me trupin e tij, por asnjëri prej tyre nuk arriti të mbijetonte.
Dëshmitë e personave që shpëtuan nga aksidenti tregojnë se rreth 20 minuta para ngjarjes, drejtuesi i autobusit kishte ndaluar për një kontroll teknik, pasi kishte dyshime për një problem të mundshëm në automjet. Pas verifikimit, udhëtimi kishte vazhduar.
Menjëherë pas alarmit, në vendin e ngjarjes intervenuan ekipet mjekësore, policore, zjarrfikësit dhe pjesëtarët e xhandarmërisë. Sipas raportimeve, flakët u vunë nën kontroll brenda afro 30 minutash. Të paktën 33 persona që pësuan lëndime janë transportuar në qendra shëndetësore për trajtim, ndërsa gjendja e dy prej tyre vazhdon të konsiderohet e rëndë./gazetametro.net