Debati për shndërrimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës ka nisur në Kuvendin e Kosovës. Shndërrimi i FSK’së po shihet si i domosdoshëm, por që duhet të bëhet në një koordinim të plotë me NATO’n e aleatët tjerë.
Për transformimin e FSK’së ka folur edhe ministri i kësaj force, Haki Demolli. Ai ka potencuar se koordinimi me NATO’n dhe aleatët e tjerë është i domosdoshëm në procesin e shndërrimit të kësaj force në ushtri.
“Transformimi i FSK’së duhet të bëhet në koordinim me NATO’n . Kjo duhet të bëhet pasi synimet e FSK’së lidhen me anëtarësimin në NATO”, ka thënë ministri Demolli.
Koordinimin me aleatët gjatë procesit të shndërrimit të FSK’së, të domosdoshëm e ka parë edhe Ganimete Musliu e PDK’së. Ajo madje këtë e ka quajtur moment jetik të Kosovës, raporton gazetametro.net.
“Tani për Kosovën është një moment jetik. Janë pjekur kushtet që FSK të shndërrohet në FAK. Kjo duhet të bëhet në koordinim me NATO’n, aleatët tjerë e Amerikën”, ka thënë Musliu.
Ndërkaq, ajo ka thënë se një konsensus politik në këtë temë është i mirëseardhur. Po ashtu, bashkimin e gjithë përfaqësuesve politikë në këtë temë, me rëndësi e ka vlerësuar edhe deputeti i LDK’së, Anton Çuni.
“Rezoluta e përbashkët do ta ketë një simbolikë të mirë. Po i hapim rrugë ushtrisë në një ditë të mirë, atë të Shën Valentinit”, ka thënë Çuni.
Ndryshe, debati në Kuvendin e Kosovës për shndërrimin e FSK’së në ushtri, po vazhdon.
Gazeta Metro do t’u mbajë të informuar për debatin në Kuvend./gazetametro.net