Formimi i Qeverisë së re që pritet të udhëhiqet nga i mandatuari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka zënë ballinat e mediave serbe, ku së fundmi kjo hapësirë i është dhënë edhe nga Radio Televizioni Publik i këtij vendi, shkruan Gazeta Metro.
Në pritje të bërjes së Qeverisë së re duket se janë edhe fqinji verior i Kosovës, të cilët kanë raportuar me pyetjen se a do të ndalojë kryeministri në largim i Kosovës, Albin Kurti sot formimin e Qeverisë dhe sa është i sigurt votimi i Qeverisë së re me në krye Avdullah Hotin.
Siç raporton RTS, rëndësi në këtë raportim i është dhënë shfuqizimit të vendimeve të Qeverisë Kurti, ku një ndër këto vendime është edhe vendosja e masave të reciprocitetit ndaj mallrave të Serbisë, importimi i të cilave duhet të bëhet me lejen e veçantë, dhe në mbishkrimin e të cilave shkruan destinacioni “Republika e Kosovës”.
“Do të shohim nëse një nga masat e para do të jetë shfuqizimi i vendimeve të qeverisë së Albin Kurtit. Sepse, heqja e tyre nuk do të thotë vetëm vendosje e mallrave serbe, por edhe fillimi i krijimit të një mjedisi për vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në raportimin e RTS’së, transmeton Metro.
Qeveria e re duhet të ketë më së shumti ministra nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Aleanca për Ardhmërinë, Lista Serbe, Nisma Socialdemokrate dhe partitë e komuniteteve pakicë gjithashtu do të kenë ministra në të. /gazetametro.net