Loading…

Tranzicioni i FSK’së forcoi stabilitetin e vendit

  • 18/06/2021 | 09:38

Tranzicioni i FSK’së forcoi stabilitetin e vendit

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar raportin me temë “Shkundja e miteve lidhur me tranzicionin e FSK-së në forcë mbrojtëse”, shkruan Gazeta Metro.


Në raport thuhet se FSK është në vazhdën e validimit të kapaciteteve këmbësorike grupore, me qëllim të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial dhe kontributit në misionet e paqes jashtë vendit.

“Theksi vihet ta krahasimi i rritjes së armatimit në rajon dhe aktivizimi i dilemës së sigurisë për vet faktin se Serbia vijon të armatoset me armatim ofensivë përtej parametrave normale për një rajon me ambicie integruese në familjen evropianë. Raporti në fund përmbyll me gjetjet që domosdoja e krijimit të një force me qëllime të mira, me mandat strikt defensivë, është në përputhje me interesat e partnerëve strategjik të Kosovës dhe do ti shërbejë vizionit afatgjatë për arritjen e paqes dhe sigurisë në Ballkan”, thuhet në njoftimin e QKSS-së.

Në raport më tej thuhet se kanë kaluar rreth tre vite që kur institucionet e Kosovës bën hapin përpara me vendimin për të filluar procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) nga një mandat për mbrojte civile e reagim emergjent në forcë mbrojtëse.

“Sidoqoftë, kjo lëvizje nga udhëheqësia e Kosovës, e nxitur nga mbështetja masive e publikut, u pa me skepticizëm nga disa prej aleatëve tradicionalë të vendit, që kishin frikë se vendimi do të çonte në jostabilitet. Por, a pati vërtetë jostabilitet si rezultat i këtij vendimi? Përgjigjja e shkurtër është – jo”.

“Duke e parë procesin, është e qartë se pasojat që disa i kishin frikë nga tranzicioni i FSK-së në forcë mbrojtëse për Kosovën ishin të ekzagjeruar – thënë më së buti – dhe duket se vendimi ishte hiç më pak a më shumë se sa një veprim i rregullt teknokratik i institucioneve kosovare.

Disa madje mund të pohojnë se në fakt procesi i tranzicionit të mandatit të FSK-së e ka ndihmuar kohezionin shoqëror në Kosovë dhe si i tillë e ka forcuar stabilitetin e vendit. Me fjalë të tjera, diskursi shqetësues për tranzicionin e FSK-së u tregua i pabazuar dhe vendimi deri më sot ka dëshmuar më shumë përfitime se sa që pritej”.

Ndër gjetjet kryesore të raportit janë:

Procesi i tranzicionit të mandatit të FSK-së po ecën përpara sipas planit. Ministria e Mbrojtjes (MM) duket se po ndjekë me rigorozitet procesin e tranzicionit siç përcaktohet në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit për ndërtimin e aftësive mbrojtëse. Nuk kishte synim për ambicie të tjera ose “kërcim” nga plani fillestar;

Që nga viti 2018, FSK-ja intensifikoi përpjekjet e veta për të shërbyer si forcë ‘me qëllime të mira’, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Në zhvillimin e fundit, ajo dha kontribut të prekshëm gjatë katastrofës së tërmetit në Shqipëri në nëntor 2019 dhe zbarkoi misionin e parë jashtë shtetit në Kuvajt, si pjesë e kontingjentit amerikan IOWA në mars 2021;

Tranzicioni i FSK-së nuk u shndërrua në ndonjë përshkallëzim marrëdhëniesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe trajektorja e zhvillimit të saj deri më tani nuk kontribuoi në narrativën destruktive në marrëdhëniet midis të dy vendeve;

Skeptikët e tranzicionit të FSK-së janë dobësuar, ndërsa ata që mbështesin mandatin e ri janë fuqizuar”./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë