Loading…

Tregon BE: KOSTT dhe Elektrosever kanë arritur marrëveshje për rrymën në veri

  • 19/10/2022 | 18:36

Tregon BE: KOSTT dhe Elektrosever kanë arritur marrëveshje për rrymën në veri

Bashkimi Evropian njoftoi se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe kompania serbe Elektrosever, më 18 tetor kanë arritur një marrëveshje teknike për zbatimin e Udhërrëfyesit për Marrëveshjen për Energjinë.


Pas nënshkrimit të marrëveshjes, sipas BE-së, Elektrosever ka dorëzuar të dhënat e konsumatorëve në veri.

BE-ja tha se marrëveshja është arritur nën ndërmjetësimin e saj, pasi Kosova kishte nisur procedurat e parapara në marrëveshje, për t’i hequr licencën kompanisë serbe Elektrosever për të operuar në Kosovë.

“BE-ja ishte njoftuar nga ana e Kosovës për inicimin e fazës 15-ditore të konsultimeve sipas nenit 8 të Udhërrëfyesit të ndërmjetësuar nga BE-ja. Si rezultat i ndërmjetësimit të BE-së, më 18 tetor KOSTT dhe Elektrosever kanë finalizuar dhe nënshkruar marrëveshjen e standardeve teknike, sipas nenit 3 të Udhërrëfyesit. Të njëjtën ditë, Elektroseveri ka dorëzuar të dhënat e konsumatorëve, sipas nenit 2 të Udhërrëfyesit”, tha për REL një zëdhënës i BE-së.

Blloku evropian ka bërë thirrje që palët të zbatojnë pa vonesa të gjitha obligimet që dalin nga Udhërrëfyesi, pasi me afrimin e stinës së dimrit, sipas BE-së, nuk ka kohë për të humbur.

“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të rëndësishëm që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të zbatojnë pa vonesa të reja obligimet e tyre që kanë mbetur nga Udhërrëfyesi”, u tha në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së.

Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia nënshkruan Udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Më 24 qershor, kompania serbe Elektrosever, ishte licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE), për furnizimin me rrymë të qytetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe për faturimin e tyre.

Por, pala kosovare kishte thënë se kjo kompani nuk i kishte plotësuar kushtet e dala nga Udhërrëfyesi, që do t’i mundësonin operimin në tregun e Kosovës.

BE-ja kishte shprehur shqetësimin për ritmin e ngadalshëm të zbatimit të Udhërrëfyesit për energji, që kërcënonte edhe të dështonte plotësisht marrëveshjen.

Udhërrëfyesi për energjinë, por edhe pajtimi midis Kosovës dhe Serbisë që qytetarët e dy shteteve të udhëtojnë vetëm me letërnjoftim – pa dokumente shtesë përmenden si sukseset më të mëdha të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në këto dy muajt e fundit.

Burimet diplomatike i thanë REL-it se vizita e fundit në Kosovë dhe Serbi, e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, krahas temave të tjera, kishte për qëllim që të bindte palët që të zbatonin pa vonesa Marrëveshjen për Energjinë.

Lajçak u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 13 tetor dhe katër ditë më vonë u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pas takimit me liderin serb, Lajçak deklaroi se çështja e energjisë kërkon “zgjidhje urgjente”.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë