Loading…

Tregti e madhe me shumicë e pakicë, prodhimtaria askund

  • 24/06/2019 | 21:33

Tregti e madhe me shumicë e pakicë, prodhimtaria askund

Kosovës dhe shumicës së vendeve të rajonit do t’i duhen edhe rreth 200 vite për të arritur standardin e zhvillimit ekonomik të vendeve të Bashkimit Evropian, nëse vazhdojnë të rriten ekonomikisht me ritmin aktual, transmeton Gazeta Metro.


Në këtë përfundim kanë ardhur ekspertët e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të cilët përmes një raporti të publikuar së fundmi ku bëhen krahasime dhe projeksione mbi të ardhmen e ekonomive të vendeve të Ballkanit, thuhet që në rastin më të mirë, vendeve të Ballkanit, duke përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, do t’iu duhen edhe rreth 60 vite për ta arritur ekonominë evropiane, ndërkohë që në rastin më pesimist thuhet që do të duhen rreth 200 vite.

Standardet e ulëta ekonomike në rajon lidhet direkt me mungesën e reformave në disa sisteme, duke përfshirë reformat në sektorin e të bërit biznes dhe në drejtësi, pasi që tërheqja e investimeve të huaja u atribuohet direkt mospunës në këta sektorë.

Të dhënat e organizatave të specializuara për të dhënat e biznesit në Kosovë tregojnë që sektorë të ekonomisë dhe investimeve që shërbejnë si motorë në përparimin ekonomik të një vendi janë larg për t’u zhvilluar, ndërkohë që dominojnë veprimtaritë tregtare te të cilat koncentrohen kryesisht investitorët e brendshëm.

Platforma e të dhënave Bizneset e Hapura, e zhvilluar nga organizata Open Data Kosovo bazuar në të dhënat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), konfirmon që sektorët e industrisë së rëndë në Kosovë janë të pazhvilluar, pasi që shumica e aktiviteteve dominuese të biznesit janë të lidhura me tregtinë dhe shërbimet.

Nga lista e 10 aktiviteteve më të mëdha që shërbehen nga bizneset në Kosovë, gjashtë janë të lidhura direkt me tregtinë me pakicë dhe shumicë, ndërsa pjesa tjetër e aktiviteteve konsistojnë në bizneset e taksive, ndërtimi i objekteve banesore, shërbimi i pijeve dhe restorantet.

Tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuar, ku mbizotëron ushqimi, pijet dhe duhani dhe tregtia me shumicë jo e specializuar janë në vendin e parë të aktiviteteve më të cilin merren më shumë biznese. Përkatësisht, me llojin e parë të tregtisë merren mbi 20 mijë biznese të regjistruara në Kosovë, ndërkaq tregtia me shumicë jo e specializuar shërbehet nga pak më shumë se 15 mijë biznese.

(Ky artikull është publikuar si pjesë e projektit “Përmirësimi i praktikave të transparencës së qeverisë dhe të bizneseve nëpërmjet të dhënave të hapura” financuar nga Ambasada Amerikane dhe që implementohet nga Open Data Kosovo). /gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë