Aktiviteti i të bërit tregti është më i madhi në Kosovë, sa u përket aktiviteteve biznesore që kultivohen nga bizneset kosovare, transmeton Gazeta Metro.
Të dhënat e organizatave që merren me statistikat biznesore tregojnë që nga dhjetë aktivitetet e para më të mëdha të biznesit në Kosovë, gjashtë prej tyre janë lloje të ndryshme të tregtisë – sic janë ato me pakicë dhe shumicë të veshjeve, ushqimit, pijeve duhanit e të tjera.
Të dhënat e organizatës Open Data Kosovo, të nxjerra përmes platformës Bizneset e Hapura, tregojnë që tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuara, ku mbizotërojnë ushqimi, pijet dhe duhani është aktiviteti tregtar më i madh në Kosovë, me rreth 20 mijë biznese që e ushtrojnë atë.
Në një tjetër vizualizim të të dhënave brenda kësaj platforme, ku tregohen statistikat e punësimeve të ndara sipas aktiviteteve, mund të shihet që punësimi në këtë aktivitet ka pasur ritëm të ulët, por konstat në vitet e fundit, përjashtuar vitin 2006 kur grafi tregon rritje të punësimit.
Të dhënat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), me të cilat është zhvilluar patforma Bizneset e Hapura, tregon shifër të lartë të regjistrimit të punëtorëve në vitin 2000, kjo kryesisht për shkak të të dhënave të mbledhura pas përfundimit të luftës.
Gjithashtu, një rritje e zakonshme për të gjitha aktivitetet vërehet në vitin 2004. Më 2006, në aktivitetin e tregtisë me pakicë figurojnë të punësuar 4219 punëtorë, ndërkohë që nga viti 2007 deri më 2018 shifrat e punësimit kanë qenë konstante, nga 1,124 në vitin 2017 te 1,892 më 2010. Ndërkaq, në vitin 2019 figurojnë të punësuar vetëm 191 persona, për shkak që viti nuk është mbyllur dhe shifra nuk tregon masën e plotë të regjistruar.
Ndërkaq, ndërtimi i objekteve banesore dhe jobanesore regjistron shifra edhe më të larta të punësimit, porse tregtia është e zgjeruar edhe në lloje të ndryshme brenda të njëjtit aktivitet, ndërkohë që ndërtimi mbetet si kategori e vecantë. Statistikat për punësimin në sektorin e ndërtimtarisë, sipas këtyre të dhënave, sillen nga 1,904 të punësuar për vitin 2015 në 3,121 për vitin 2017.
Industria e ndërtimit të objekteve të larta vazhdon të jetë sektor i zhvilluar në Kosovë, ndërkohë që tregtia e konsumit dominon qarkullimin e përgjithshëm ekonomik. (Ky artikull është publikuar si pjesë e projektit “Përmirësimi i praktikave të transparencës së qeverisë dhe të bizneseve nëpërmjet të dhënave të hapura” financuar nga Ambasada Amerikane dhe që implementohet nga Open Data Kosovo)./gazetametro.net