Loading…

Trendafilova e shqetësuar me “trysninë në rritje” në Kosovë

  • 16/02/2021 | 19:03

Trendafilova e shqetësuar me “trysninë në rritje” në Kosovë

Kryetarja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova thotë se ekzistojnë përpjekje për të minuar punën e Gjykatës që po i heton krimet e pretenduara të kryera nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë vitit 1998-2000.

“Përpjekjet për të minuar institucionet tona (Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar) nuk kanë pushuar dhe me gjasë do të rriten në forma të ndryshme, përderisa zhvillohen procedurat gjyqësore”, citohet të ketë thënë Trendafilova gjatë një takimi me diplomatët e Bashkimit Evropian më 11 shkurt në Hagë. Radio Evropa e Lirë e ka parë transkriptin e këtij takimi.

Kryetarja e Gjykatës Speciale ka thënë se në kuadër të këtyre përpjekjeve kanë qenë thirrjet që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të rishikojë vendimin e prillit të vitit 2015, që hapi rrugën për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Ngjashëm janë bërë thirrje për mbledhjen e nënshkrimeve për të ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që edhe pse në aspektin ligjor nuk mund të ndodhë, mund të kenë pasoja problematike nëse merren parasysh nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë Tredafilova.

“Specifikisht, mund të bëhen përpjekje për të amendamentuar ligjin që lejon faljen e atyre që dënohen nga Dhomat e Specializuara apo që ta zhvendosin Gjykatën ose arkivin e saj apo të dyjat bashkë në Kosovë”, iu ka thënë Trendafilova diplomatëve evropianë.

Ajo nuk ka elaboruar nga kush po bëhen këto përpjekje dhe si mund të zbatohen këto ndryshime.

“Kjo sigurisht që do të rrezikonte jetën dhe sigurinë e njerëzve që kanë ose do të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me ne. Ndryshime të tilla, sigurisht do të kishin një efekt tronditës për dëshmitarët, të cilët mund të mos dëshirojnë të paraqiten tash e tutje, duke e bërë kështu të pamundur që Prokurori i Specializuar të vazhdojë me çështjet e tij”, ka shtuar ajo.

Gjatë këtij takimi, mbajtjen e të cilit e ka konfirmuar për REL edhe zyra për media e Dhomave të Specializuara, Trendafilova ka ngritur edhe shqetësimin për sigurinë e dëshmitarëve që paraqiten në ndjekje penale.

Ajo u ka kërkuar shteteve evropiane që të angazhohen për një marrëveshje gjithëpërfshirëse bashkëpunimi, e cila do t’u mundësonte dëshmitarëve edhe zhvendosjen në ndonjë shtet evropian, si masë mbrojtëse.

“Pa këto marrëveshje, do të jetë shumë e vështirë nëse jo e pamundur në disa raste, për të siguruar që dëshmia mund të jepet lirshëm dhe pa ndonjë frikë. Bashkëpunimi është krucial dhe mund t’u kërkohet shteteve që të ngrijnë asetet apo edhe për transferimin e personave të caktuar nga territori i tyre për në selinë e Dhomave të Specializuara në Hagë ”, ka thënë Trendafilova.

Ajo e ka cilësuar si esenciale që mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të mos ndryshojë deri në përmbushjen e tij.

“Çdo ndryshim të bëhet vetëm me BE-në”, ka thënë jo.

Në këtë takim, Trendafilova ka thënë se procedurat gjyqësore po vazhdojnë sipas planit më gjithë masat që janë imponuar kundër pandemisë së COVID-19.

Trendafilova ka njoftuar diplomatët për tre rastet me të cilat po merret aktualisht gjykata: rasti Mustafa, rasti Thaçi (përfshihen Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi) dhe rasti Gucati/Haradinaj.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë