Personazhet e filmave, serialeve dhe botës së horrorit po përcaktojnë trendët e Halloween-it 2026, me zgjedhje që variojnë nga superheronjtë e deri te vampirët dhe krijesat e mbinatyrshme.
Në nivel ndërkombëtar, Spider-Man prin listën e kostumeve më të kërkuara, i ndjekur nga Harley Quinn, Batman dhe Wednesday Addams. Në renditje përfshihen gjithashtu Minions, Super Mario, Catwoman dhe personazhet e Minecraft.
Ndryshe paraqitet situata në Zvicër, ku sipas të dhënave të platformave Galaxus dhe Manor, më të preferuarit janë vampirët, lakuriqët e natës, policët, piratët dhe personazhet horror. Galaxus ka shënuar rritje prej 20% të shitjeve të kostumeve dhe 29% të aksesorëve gjatë tetorit, krahasuar me vitin e kaluar.
Vëmendje të veçantë këtë vit po marrin edhe personazhet e produksionit “KPop Demon Hunters”, ndërsa në mesin e frymëzimeve të reja janë edhe “Toy Story 5”, “The Odyssey” dhe seriali “Heated Rivalry”.
Sa u përket aksesorëve, maskat e Ghostface nga “Scream”, dhëmbët e vampirit dhe maskat LED janë ndër produktet më të kërkuara.
Të dhënat tregojnë se zgjedhjet për Halloween po ndikohen gjithnjë e më shumë nga produksionet filmike, serialet e suksesshme dhe trendët që bëhen viralë në rrjetet sociale.