Loading…

‘Trepça’ i nënshtrohet auditimit nga Auditori Gjeneral

  • 21/01/2022 | 13:24

‘Trepça’ i nënshtrohet auditimit nga Auditori Gjeneral

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës në Ndërmarrjen Publike Qendrore “Trepça Sh.A.” me temën “Performanca financiare dhe operative NP Trepça”. Auditimi përfshinë periudhën kohore 2019-2021. Trepça nuk është audituar nga ZKA që nga viti 2010.


ZKA-ja e vlerëson të rëndësishëm trajtimin e kësaj teme të auditimit duke marrë parasysh se Trepça është shoqëri aksionare 80% në pronësi të Republikës së Kosovës dhe 20% të punëtorëve të saj. Ndikimi dhe pesha e këtij resursi pasuror është i lart për Kosovën në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik të vendit, gjenerimin e punësimit, rritjen e eksportit dhe Bruto Produktit Vendor (BPV).

“Trepça Sh.A.” për vite me radhë ballafaqohet me probleme dhe sfida të shumta. Si probleme kyçe mund të theksohen produktiviteti i ulët, trendi i operimit me humbje, mungesa e shfrytëzimit të kapaciteteve të plota si rrjedhojë e teknologjisë së vjetërsuar në miniera dhe flotacione dhe njësi tjera biznesore, mungesa e investimeve kapitale, mosha e vjetër e stafit të kualifikuar në procesin e prodhimit, si dhe mungesa e zhvillimit të industrisë përpunuese në sektorin e metalurgjisë.

Objektivë e këtij auditimi është të vlerësojë nëse “Trepça” është duke e zhvilluar aktivitetin operativ dhe financiar me fokus procesin e prodhimit me synimin e arritjes së performancës financiare pozitive, nëse jo cilët janë shkaktarët që ndikojnë në produktivitetin e ulët, mungesën e rentabilitetit respektivisht profitabilitetit.

Fokusi i auditimit në nivel të përgjithshëm do të jetë edhe në aktivitetet strategjike përfshirë planet dhe strategjitë e kompanisë për tejkalim të krizës financiare si dhe krijimin e mundësive për tërheqjen e investimeve të huaja apo vendore dhe formave tjera të partneritetit për zhvillim të përgjithshëm biznesor.

Subjekt i këtij auditimi është Trepça Sh.A. me njësitë biznesore, Minierat me Flotacion Trepça – Stan Tërg, Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë si dhe Minierat me Flotacion Kopaonik – Leposaviq. Analizat tona do të shtrihen edhe në aktivitetet e njësive tjera biznesore jo-produktive dhe jo-profitabile.

Zyra Kombëtare e Auditimit përmes këtij auditimi ka për qëllim dhënien e rekomandimeve të cilat mund të kontribuonin në përmirësimin e nivelit të përgjithshëm të performancës së “Trepça Sh.A.”

Ndërmarrja Publike Qendrore “Trepça Sh.A” është trashëguar nga ish ndërmarrja shoqërore Kombinati Xehëtaro-Metalurgjik Trepça, si një nga komplekset më të mëdha industriale, metalurgjike dhe kimike i bazuar në Kosovë, dhe me disa pasuri në pjesë të tjera të ish Jugosllavisë. Në të kaluarën, ky kompleks minerar ishte një gjigant industrial i cili përfaqësonte një burim të konsiderueshëm ekonomik për ish Jugosllavinë. Pas përfundimit të luftës, nga viti 1999 deri në vitin 2002 “Trepça” ishte nën kontroll të Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK-ut), ndërsa nga viti 2002 ka kaluar nën administrim të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), dhe respektivisht nga viti 2008 të Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP).

Transformimi i Trepçës u formalizua në vitin 2016 përmes miratimit të Ligjit për Trepçën në Kuvendin e Kosovës, ku nga statusi i Ndërmarrjes Shoqërore (N.Sh.) nën administrim të AKP-së, Trepça kalon në statusin e Ndërmarrjes Publike (NP).

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë