Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se pret që përplasja me Iranin të marrë fund “shumë shpejt”, duke shprehur besimin se situata mund të qetësohet në një afat të afërt, transmeton Gazeta Metro.
Kështu deklaroi Trump në kohën kur Uashingtoni, Teherani dhe Omani janë të angazhuar në kontakte diplomatike me synimin për arritjen e një marrëveshjeje të përkohshme. Një marrëveshje e tillë do të hapte rrugën për rikthimin e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, korridor kyç për tregtinë globale të naftës, raporton Assocciated Press.
Trump u ndal edhe te tregjet e energjisë, duke thënë se nuk pret që rritja e çmimeve të vazhdojë për një periudhë të gjatë.
Ndërkohë, sipas raportimeve, sulmet me dronë kamikazë dhe raketa balistike, të atribuuara rebelëve Houthi, kanë lënë të vrarë të paktën 17 ushtarë dhe një oficer.
Më herët, zëdhënësi i Houthive, Yahya Saree, deklaroi se grupi kishte ndërmarrë sulme duke përdorur “një numër të madh raketash balistike dhe dronësh” ndaj bazave të forcave të emergjencës në Marib dhe Hadramout. Ai deklaroi se gjatë operacionit janë goditur trupa, armatime dhe mjete ushtarake./gazetametro.net