Kampioni në fuqi i Italisë, Milan nuk po kalon aspak momente të mira në këtë fillim të vitit. Këtë e ka pranuar edhe vetë trajneri, Stefano Pioli, mbrëmë pas disfatës me rezultat të thellë 4-0 nga Lazio, transmeton Gazeta Metro.
‘Rossonerët’ synimin kryesor mbrëmë e kishin të riktheheshin te tre pikët pas katër ndeshjeve pa fitore, por në vend të kësaj, ata u turpëruan në ‘Olimpico’ nga skuadra e Maurizio Sarrit.
Pioli u shpreh i qartë pas ndeshjes, ku theksoi se tani duhet të rikthehen në Milanello dhe të fillojnë punën për të bërë më mirë.
”Kjo mund të shpjegohet duke u kthyer shpejt në Milanello për të punuar mirë, ne po japim performanca të standardit tonë të zakonshëm. Është një moment delikat. Në dy javë e gjysmë nuk kemi sjellë në shtëpi ndonjë paraqitje apo rezultat dhe është e qartë se të gjithë duhet të bëjmë më mirë,” tha ai për DAZN.
Siç duket futbollistët e Milan do të kenë një javë të ngarkuar para ndeshjes kundër Sassuolos. Tekniku italian ripërsëriti edhe një herë tjetër se e vetmja ”mënyrë për t’u përmirësuar është të punosh”.
”Nuk është e lehtë. Gjërat nuk shkojnë mirë për ne. Sot kemi krijuar situata për të qenë të rrezikshëm. Problemi sot nuk ishte aq shumë në zotërimin e topit, por kur ishim pa top nuk kishte mbulim, na duhet komunikim më i qartë. Unë di vetëm një mënyrë për t’u përmirësuar: të punosh. Të gjitha këto rezultate negative çojnë në negativitet,” tha ai.
Ai u pyet edhe rreth garës për titull me Napolin dhe la të nënkuptohet se ende nuk është dorëzuar.
”Duhet të rifillojmë të luajmë siç dimë: ky është qëllimi ynë i parë dhe duhet ta bëjmë sa më shpejt të jetë e mundur. Le të rifillojmë rrugëtimin dhe rrugën tonë, do të përpiqem të flas më pak dhe të punoj më shumë,” tha ai.
Pas 19 xhirove të para ‘Rossonerët’ gjenden në pozitën e dytë në renditjen tabelore me 38 pikë, 12 më pak se Napoli që po vazhdon me rezultate pozitive. /gazetametro.net