Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka reaguar pas një serë akuzash ndaj saj, për shkarkime pa paralajmërim dhe të paligjshme siç i janë referuar nga disa diplomat që kanë shërbyer në kuadër të MPJD’së. Gjithashtu ata kanë dërguar edhe padi në gjykatë në llogari të Gërvallës, shkruan Gazeta Metro.
Gërvalla po thotë se në ministrinë që ajo drejton nuk po ndodh asgjë më shumë sesa shfuqizim i punësimeve që ajo i cilëson ilegale, derisa thotë se edhe të tjerat që do të dalin në pah do të shfuqizohen.
“Kemi premtuar meritokracinë dhe profesionalizmin si kriter të vetëm për punësim në institucionet e Republikës. Asgjë më shumë e asgjë më pak nuk është duke ndodhur në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Për këtë flet edhe konfirmimi i vendimeve tona nga ana e instancave të ankimimit”.
“Prandaj, punësimet ilegale, të jashtëligjshme në këtë ministri, të bëra në të kaluarën, janë shfuqizuar. Nëse ndërkohë do të konstatohen të tjera, të cilat ende nuk kanë dalë në pah, edhe ato do të shfuqizohen. Nuk ka gënjeshtër, përrallë, shpikje, presion apo kërcënim që e ndal reformën e domosdoshme institucionale”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ky reagim i Gërvallës vjen pasi së fundmi, kishte reaguar edhe Konsulli i Kosovës në New York, Lulzim Krasniqi, i cili akuzoj atë, duke thënë se largimi i tij nga shërbimi i jashtëm bazohet në urrejtje dhe paranoja të Gërvallës.
Në letrën që i ka dërguar ministres Donika Gërvalla, ai ka thënë se vendimi është i paprecedent, arbitrar dhe pa paralajmërim, derisa thotë se shkel të gjitha të drejtat e një diplomati dhe e vërteton qasjen tuaj në përndjekjen e diplomatëve, të cilët kanë ndihmuar në forcimin e shtetit të Kosovës.
Gjithashtu ndaj Gërvallës diplomatët e shkarkuar kanë dërguar padi në gjykatë.
Ata, të martën përmes avokatit të tyre Hajzer Salihu, kanë dërguar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, respektivisht kundër vendimit A. nr 365/2022 të dt.10.06.2022, ku njëkohësisht kanë kërkuar edhe shtyrje të ekzekutimit të vendimit në fjalë.
“Vendimi i KPMSHCK-së me të cilin nuk jemi pajtuar dhe kemi dorëzuar padi pranë gjykatës kompetente, duke kërkuar njëkohësisht edhe shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimi, për bindjen tonë ligjore sikurse edhe vendimet e Ministres, është vendim i padrejtë dhe i pabazuar, dhe i cili u ka shkaktuar dëm të pariparueshëm këtyre nëpunësve civil”, kishte deklaruar Salihu
Po ashtu thotë se shkarkimet kanë krijuar dëme të pariparueshëm, pasi shton se janë larguar nga puna pas 10 vitesh duke mos pasur asnjë njoftim paraprak.
“Ua kanë dërguar vendimet në tavolinë dhe duke ua ndërprerë mandatin në mënyrë arbitrare, madje mu në mes të angazhimeve në projekte të ndryshme me organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, që i ka dhënë një shije të keqe gjithë sistemit të diplomacisë se vendit në raport me këta mekanizma të partneritetit”.
“Nonsensi i kësaj çështje vazhdon edhe kur në mesin e disa prej ankuesve që kanë qenë në misione diplomatike, edhe pas vendimeve të nxjerra për largim, Gërvalla ka vazhduar dhe u ka dhënë detyra shtesë për të punuar në projektet që kanë qenë të nisura nga ta”, deklaroi ai.
Statusi i plotë i Gërvallës:
Kemi premtuar meritokracinë dhe profesionalizmin si kriter të vetëm për punësim në institucionet e Republikës. Asgjë më shumë e asgjë më pak nuk është duke ndodhur në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Për këtë flet edhe konfirmimi i vendimeve tona nga ana e instancave të ankimimit.
Prandaj, punësimet ilegale, të jashtëligjshme në këtë ministri, të bëra në të kaluarën, janë shfuqizuar. Nëse ndërkohë do të konstatohen të tjera, të cilat ende nuk kanë dalë në pah, edhe ato do të shfuqizohen. Nuk ka gënjeshtër, përrallë, shpikje, presion apo kërcënim që e ndal reformën e domosdoshme institucionale.
Nepotizmi dhe punësimet e paligjshme e kanë dëmtuar rëndë diplomacinë tonë.
Prandaj: Drejtësi, barazi, llogaridhënie dhe meritokraci në punësim, vlerësim të punës, ngritje në pozitë, dërgim jashtë vendit. Kjo është formula e një funksionimi më të mirë të MPJD-së dhe e një përfaqësimi më dinjitoz të Republikës së Kosovës jashtë vendit./gazetametro.net
Diplomatët e shkarkuar nga Gërvalla dërgojnë padi në gjykatë, MPJD humbi edhe dosjet e tyre