Loading…

U dhunua dy vjet nga burri: Nëna me dy fëmijët jeton në kushte të rënda

  • 23/05/2020 | 14:49

U dhunua dy vjet nga burri: Nëna me dy fëmijët jeton në kushte të rënda

Në një shtëpi të vogël, ku muret janë mbuluar nga lagështia, po jeton 27-vjeçarja nga Prishtina, me dy fëmijët e saj të vegjël. Për ta thotë se është “vet nënë, e vet babë”, meqë ky i fundit nuk i interesua për ta, e po ashtu edhe ushtroi dhunë për më shumë se dy vjet ndaj saj.


Veç kushteve të rënda ekonomike, ajo tash e tre muaj ka mbetur e vetme, çka po e vështirëson edhe më shumë jetesën e saj. E të ardhurat e vetme i ka nga familjarët, të cilët po ashtu kanë kushte të rënda. Ndërkaq, ajo shprehet e zhgënjyer nga shteti, meqë tregon se kishte kërkuar ndihmë shumë herë, po që askush nuk i ka vizituar.

E vetme, me dy fëmijë të vegjël, të cilët përveç kujdesit kërkojnë edhe kushte më të mira ekonomike, 27-vjeçarja nga Prishtina po jeton si më keq. Për jetën e vështirë që po bën, dhe vuajtjet e jetës A.G. e martuar para gjashtë vitesh, rrëfen me frikë se do t’i zbulohet identiteti.

Ish-bashkëshorti i saj kishte ushtruar dhunë ndaj saj, derisa rrëfen për KosovaPress, çdo fjali që e thotë e shoqëron me lot, derisa tregon se që tre muaj ka mbetur e vetme me fëmijët në një shtëpi, e cila as e saj nuk është.

Video X: Ai ka qenë narkoman, ushtroi dhunë ndaj meje.

“Ai ja nisi më mos të punojë, të ushtrojë dhunë ndaj meje, të bëj probleme, sherre, hynte në burg dhe unë mbetesha vetëm me fëmijë. Edhe kur kthehej prapë thoshte ‘falma se nuk bëj më sherre’, edhe prapë vazhdonte ashtu. Edhe erdh rasti që nuk mundesha më me të, se nuk munda të duroj, me pa fëmijët e mi dhunë duke ushtruar ai ndaj meje. Ma ka ‘shky’ (lënduar) edhe ballin ku e kam shenjë… Kur mbetke keq, ai ka qenë narkoman edhe kërkonte pare prej meje, më thoshte ‘më jep para se unë po dua’, unë i thosha ku me i marr unë ato pare, unë nuk kam pare me të dhënë ty. U tranojke krejt, atëherë fillonte të ushtronte dhunë ndaj meje. Më bërtitke, fëmijët fillonin të bërtisnin e të qanin”, rrëfen mes lotësh ajo.

Nga dhuna që kishte ushtruar ndaj gruas së tij, vajza e madhe ka mbetur me trauma, dhe shumë pak edhe mund të flasë.

Video X: Vajza ka mbet me trauma, prej dhunës që e ka parë.

“Burri ka ushtruar dhunë ndaj meje edhe fëmija kanë marrë trauma…vajza nuk fol shumë për shkak se ka parë shumë raste që më ka rrah burri im. Edhe unë kam nevojë vetëm për një strehim me ua bo fëmijëve të mi, edhe me qenë të sigurt”, flet ajo.

Muret e shtëpisë nga vjetërsia janë mbuluar nga myku, e ditët e ftohta të dimrit po i kalojnë si më keq, e shumë shpesh po u pikon edhe shiu në dhomën e ndejës.

Video X: Shtëpia është shumë e vjetër, krejt shiu hyn brenda.

“Është shumë e vjetër edhe kur bie shi, krejt shiu hynë brenda, edhe është krejt myk, në dhomën tjetër krejt shiu brenda hynë. Edhe tepër vështirë, tepër sidomos dimrit, mu më rrinë fëmijët veç të sëmurë, mos me pas dru këtu mërdhitët njeri… Është shumë ftohtë, edhe shtëpia është me llamperia përfundi e ka podrumin, është veç me tepihë, po prapë se prapë mbetet e ftohtë shtëpia… qe është e vjetër edhe andej ka tepihë edhe dimrit këtu prej të ftohtit nuk rrihet”, shton A.G.

Veç kushteve të rënda, nëna e dy fëmijëve druan se nuk do të jetë e qetë asnjëherë nga bashkëshorti i saj, meqë ai e ka kërcënuar se do ia marrë vajzat.

Video X: Nuk më pushon shpirti i qetë me ua lënë fëmijët.

“Nuk mundem t’ia lë fëmijët, edhe nuk pushon shpirti im i qetë, me ua lënë atyre fëmijët… Unë frikësohem, them mos po më pengon ndonjëherë, mos po më bën ndonjë gjë ndonjëherë”, shton ajo.

Bashkëshorti i saj tash e tre muaj është në arrest shtëpiak për shkak të dhunës dhe torturës që ia kishte shkaktuar asaj.

Ajo thotë se shumë herë ka qenë në komunë për të kërkuar ndihmë, por që për shkak të pandemisë askush nuk i ka vizituar gjatë këtyre muajve. Për këtë shprehet edhe e zhgënjyer, ndërkohë tregon se të vetmen ndihmë e ka nga vëllai i saj, i cili ia paguan qiranë e shtëpisë që kushton 100 euro.

Video X: Sociali më ka thënë me prit dy muaj, por nuk më kanë ndihmuar.

“Më duket që më kanë bërë shumë padrejtësi, se sociali më ka thënë që dy muaj me prit, por jo. Më kanë thënë të shkoj në strehimore, po për shkak të fëmijëve unë nuk mundem të shkoj në strehimore. Dhe nuk mundem fëmijët t’i dërgoj në strehimore. Vëllai im ma paguan qiranë, më ka thënë mos i ço në strehimore se unë ta paguaj. Askush nuk më ka ndihmua deri tash përveç një hoxhës, ma ka sjell një pako ushqimore edhe familjarët e mi më ndihmojnë ndopak”, rrëfen ajo mes lotëve.

E kjo gjendje bëhet edhe më e rëndë në prag festave. Ani pse, për A.G ato nuk kanë rëndësi.

Video X: Nuk ka bajram për neve.

“Gjatë muajit të ramazanit unë kam agjëruar edhe jam agjërueshëm, por Bajram nuk ka për neve, për shkak të kushteve që i kam. Unë jam vet nënë, vet babë edhe siç po e shihni edhe vet nuk di çfarë bëjë për drekën e Bajramit”, flet ajo.

E, me sy të përlotur ajo rrëfen se sa të vështirë e ka si nënë, që t’ua plotësojë kërkesat fëmijëve të saj, kërkesa që nuk përfshijnë më shumë se një kafshatë goje e një kulm, ku do të qëndrojnë pa frikën se një ditë do të mbesin në rrugë. Nëna e dy fëmijëve po bën thirrje për të gjithë ata që kanë mundësi, t’iu ndihmojnë atyre, që fëmijët e saj të rriten si duhet.

Të gjithë vullnetmirët që duan të ndihmojnë këtë familje mund të lajmërohen në numrin e redaksisë së KosovaPress 044 507 766 ku mund të marrin informata shtesë se ku mund t’i dërgojnë ndihmat.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë