Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, zhvilloi një operacion në pikëkalimin kufitar Hani i Elezit, ku është zbuluar një rast i tentativës për futje të arit pa deklarim, transmeton Gazeta Metro.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:10, kur pas informacioneve paraprake, autoritetet ndaluan për kontroll të detajuar një autobus të linjës Serbi – Maqedoni e Veriut, që drejtohej nga një shtetas serb.
Gjatë inspektimit, tek një pasagjere janë gjetur stoli ari të fshehura, ndërsa edhe te shoferi janë zbuluar sende të ngjashme të vendosura në mënyrë të kamufluar.
“Gjatë kontrollit të detajuar, në çantën e një pasagjereje (J.H.) janë zbuluar stoli ari të ndryshme (varëse dhe unaza), të fshehura në një qese të mbyllur. Po ashtu, tek drejtuesi i autobusit janë gjetur të fshehura në xhaketën e tij edhe disa rrathë dore dhe një medaljon ari. Pesha totale e arit të sekuestruar është 129.76 gram. I njëjti nuk ishte deklaruar dhe është konfiskuar nga autoritetet doganore për procedura të mëtejshme, ndërsa vlera do të përcaktohet nga njësitë përkatëse të Doganës së Kosovës”, njoftoi Policia./gazetametro.net