Loading…

U përçan mes veti: Osmani ia nxjerr të ‘palarat’ Kurtit për presidencën

  • 09/03/2026 | 23:27

U përçan mes veti: Osmani ia nxjerr të ‘palarat’ Kurtit për presidencën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi publikisht Kryeministrin Albin Kurti për tërheqje të papritur të mbështetjes së saj për mandatin e dytë presidencial, duke thënë se Kurti vendosi kundër kandidaturës së saj pikërisht kur shanset për rizgjedhjen u bënë reale, shkruan Gazeta Metro.


Në një intervistë për emisionin e Çim Pekës, Osmani deklaroi se Kurti dhe grupi parlamentar i VV-së nuk e përkrahën kandidaturën e saj, ndërsa partitë e tjera nuk kishin deklaruar kurrë publikisht refuzimin.

“Ka parti tjera që asnjëherë nuk kanë deklaruar publikisht që asnjëherë nuk do të marrin pjesë në rast se propozohet emri im. Kur u qartësua që në fakt ka shansa që unë të zgjidhem, nga Kryeministri Kurti më erdhi një vlerësim krejtësisht i ri – që ishte se ai dhe grupi parlamentar i VV-së nuk e përkrah kandidaturën time”, tha Osmani.

Presidentja gjithashtu e lidhi këtë vendim me marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke sugjeruar se roli i saj në forcimin e lidhjes me aleatin kryesor të vendit mund të ketë krijuar pengesa Kurtit.

“Edhe mbështetja ekonomike është e pakushtëzuar, edhe mbështetja ushtarake e keni parë se si është rritur dinamizmi ushtarak gjatë administratës Trump. Unë e di që i pengon Serbinë, mirëpo nuk do duhej që afërsia jonë e madhe me aleatin tonë të lirisë, me aleatin tonë të sigurisë, me uniformën amerikane që 400 km të kufirit tonë akoma i ruan bashkë me policinë tonë, që kjo të jetë pengesë? Këtë nuk e kam pritur asnjëherë në jetën time”, deklaroi ajo.

Sa i përket vendimit të saj për shpërndarjen e Kuvendit, Osmani u shpreh e bindur se dekreti qëndron në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe se Gjykata Kushtetuese ekziston për të dhënë interpretimin përfundimtar të ligjit themelor.

“E tëra që pres është që Kushtetuesja të vendosë mbi parimin e integritetit, profesionalizimit dhe interpretimin e Kushtetutës në mënyrë të lirë dhe pa asnjë presion. Ne jemi të bindur që dekreti është në përputhje të plotë me Kushtetutën. Por unë s’jam Pejgamber të mos e bëjë asnjëherë në jetë gabime – prandaj ekziston Gjykata Kushtetuese”, tha presidentja.

Ajo shtoi se Kurti i kishte kërkuar të përpiqej të bindte opozitën të qëndronte në sallë, pa i imponuar kushte të veçanta, duke sqaruar se qëllimi i saj ishte thjesht të verifikonte numrin e deputetëve që do të ishin të pranishëm, por se sipas saj Kurti punonte prapa shpinës së saj.

“Nuk e kam kushtëzuar Kurtin asnjëherë, e vetmja që kam propozuar është që të më jepet një shans që të shkojmë në sallë, të shohim sa deputetë po jenë në sallë sepse kisha kontakte me deputetë e garanca që nuk do të bojkotojnë,” tha Osmani. Sipas presidentes, pas skenave po përgatiteshin kandidatët e tjerë pa dijeninë e saj. “Çfarë ndodhi ishte që prapa shpinës sime punohej me shumë kandidatë të tjerë dhe unë e kuptoja nga televizioni, që po punohej me kandidatët e tjerë përderisa mua më thuaj provo të bindësh opozitës. Pasaj më kërkuan t’i bëjë 85 vota që ishin të panevojshme”, shtoi ajo.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi me 9 mars masë të përkohshme deri më 31 mars, duke ndaluar çdo veprim të presidentes Osmani lidhur me dekretin e 6 marsit, si dhe çdo veprim të Kuvendit të Kosovës derisa masa të jetë në fuqi. Sipas Kushtetueses, kjo masë “është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyç në vend”.

Zhvillime këto që theksojnë tensionet e vazhdueshme mes institucioneve kryesore të vendit dhe pasqyrojnë përplasjet mbi procesin e rizgjedhjes presidenciale./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë