Loading…

Udhëzimi administrativ që ndalon shaminë, MASHTI: Do të sigurohemi që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore

  • 11/08/2022 | 15:45

Udhëzimi administrativ që ndalon shaminë, MASHTI: Do të sigurohemi që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), u zotua të enjten se do të përmbushin të gjitha obligimet ligjore dhe të sigurohen që çdo fëmijë në Kosovë të vijojë mësimin, transmeton Gazeta Metro.


Sipas në njoftimi për media, MASHTI deklaroi se e drejta për shkollim është e garantuar me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Arsimin Parauniversitar.

“Krahas investimeve për përmirësimin e infrastrukturës arsimore, MASHTI është duke i trajtuar me kujdes aspektet ligjore dhe rregullimin e çështjeve të rëndësishme në mënyrën më të mirë të mundshme”, thuhet në komunikatë.

Tutje, MASHTI bëri të ditur se në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe udhëheqësit e shkollave është duke i bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor 2022/2023 të nisë sipas planit të paraparë.

“Ju njoftojmë se tashmë jemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor dhe presim që procesi mësimor të nis sipas planifikimeve”.

“Ministria e Arsimit do të angazhohet në avancimin e sistemit arsimor dhe krijimin e një mjedisi të sigurt, të favorshëm dhe mbështetës për të gjithë ku askush nuk ndihet i përjashtuar dhe cenuar”.

Ky reagim i MASHTI-t vjen pas iniciativës që ka nisur në rrjete sociale për ndryshimin e një neni në Udhëzimin Administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkolla.

“Ndryshojeni Udhëzimin Administrativ për shaminë” është kampanja përmes së cilës Durim Berisha dhe Liridon Kurti po kërkojnë të ndryshohet ky nen.

Të hënën ata i kanë dërguar shkresë ministres së MASHTI-t, Arbërie Nagavcit, për t’i kërkuar ndryshimin e nenit 3, pasi sipas tyre, bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Ky nen në udhëzimin administrativ të miratuar në vitin 2014 është ende në fuqi, duke ndaluar bartjen e uniformës fetare në objektet arsimore. Ndryshimi i këtij neni është kërkuar disa herë nga komuniteti islam.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë