Pak çaste më parë u kuptua se Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) pas rekomandimeve nga eksperti i UEFA’s, Neil Rodgers kishte marrë vendim se në muajin tetor stadiumi ‘Fadil Vokrri’ të përdoret vetëm për ndeshjet si vendas të Kombëtares së Kosovës U-17. Por, menjëherë lindën pyetjet se çfarë do të bëhet me klubin e Ballkanit, e cila luan në fazën e grupeve të Conference League, transmeton Gazeta Metro.
Siç ka mësuar Gazeta Metro nga burime brenda klubit edhe skuadra kampione e Kosovës do t’i luajë ndeshjet e Conference League në shtëpi.
”Përveç Kosovës U-17 edhe ne do t’i luajmë ndeshjet e Conference League në Fadil Vokrri,” tha një burim i Gazeta Metro.
Ballkani gjatë muajit tetor do të jetë nikoqire e Sivasspor (13 tetor) dhe Slavia Prague (27 tetor).
Duhet theksuar se, stadiumi i vetëm në Kosovë që përmbush kriteret e kërkuara nga UEFA muajt e fundit është ngarkuar shumë për shkak se në të janë zhvilluar shumë ndeshje.
Ndërsa, Prishtina e cila ndeshjet e Superligës së Kosovës i zhvillon në ‘Fadil Vokrri’ u raportua se nuk do të luajë asnjë ndeshje si vendase gjatë muajit tetor.
Gazeta Metro ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të klubit, por siç thanë ata së shpejti pritet që klubi të dalë me një komunikatë zyrtare. /gazetametro.net