Loading…

UP del kundër Rregullores: Rekomandon për asistente bashkëshorten e deputetit të VV’së

  • 12/11/2021 | 15:09

UP del kundër Rregullores: Rekomandon për asistente bashkëshorten e deputetit të VV’së

Blerta Dollaku-Shkreta, bashkëshortja e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta – është rekomanduar nga Senati i Universitetit i Prishtinës për asistente në degën e Stomatologjisë. Vendimi është marrë kundër Rregullores për emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik të UP-së.


Doktoresha Blerta Dollaku-Shkreta shumë shpejt mund ta nis punën si asistente e rregullt në Fakultetin e Mjekësisë, dega e Stomatologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Kështu ka vendosur Senati i UP-së në mbledhjen që e ka mbajtur më 2 nëntor 2021.

“Ju njoftojmë që në mbledhjen e mbajtur më 2 nëntor 2021, Senati i Universitetit të Prishtinës, bazuar në legjislacionin dhe rregulloret në fuqi, ka marrë vendim që në pozitën e 44-të të Konkursit emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik në fakultetet e UP-së të emërohet kandidatja Blerta Dollaku-Shkreta”, thuhet në përgjigjen e Senatit për Gazetën Insajderi.

Senatorët kanë votuar për Blerta Dollaku-Shkreta, duke i dhënë asaj përparësi, pavarësisht se e njëjta nuk i ka kryer studimet në UP, ashtu siç e parasheh Rregullorja.

Me këtë vendim, Senati i Universitetit të Prishtinës ka dalë kundër rregullores për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik në fakultetet e UP-së – rregullore të cilën vetë e ka votuar.

“Kandidatët që kanë përfunduar studimet master në UP (për fusha të caktuara me statut studimet e integruara 5,6 vjeçare) dhe të cilët i plotësojnë kriteret e Statutit të UP-së, kanë përparësi ndaj kandidatëve që studimet i kanë përfunduar në institucionet tjera të arsimit të lartë të Kosovës dhe vendeve fqinje të Kosovës, pavarësisht pikëve të grumbulluara në kategoritë përkatëse”, thotë Rregullorja.

Rregullorja për emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik të UP-së

Gazeta Insajderi e ka pyetur Senatin pse ia ka thënë përparësi stomatologes Dollaku-Shkreta, kundrejt aplikusve të tjerë që studimet i kanë përfunduar në UP, për dallim nga ajo që i ka kryer në Universitetin e Tiranës, por nuk ka marrë një përgjigje.

Përgjigje nuk ka kthyer as Dollaku-Shkreta, kur është pyetur nga Gazeta Insajderi, rreth krejt këtij procesi.

Blerta Dollaku-Shkreta vjen nga Durrësi, por ka kohë që jeton dhe punon si stomatologe në Kosovë, pasi e njëjta është e martuar me stomatologun Mirsad Shkreta, i cili është deputet në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Gazeta Insajderi e ka pyetur deputetin se a ka ndikuar qoftë si asistent i rregullt i degës së Stomatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë dikur, por edhe si deputet tash – që bashkëshortja e tij të rekomandohet për asistente të rregullt, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.

Përgjigje për të njëjtën pyetje nuk ka kthyer as Dollaku-Shkreta.

Blerta Dollaku-Shkreta dhe Mirsad Shkreta

Rrjedhja e konkursit të UP-së, nga ankesat te vendimet e paligjshme

Më 14 maj të këtij viti, Universiteti i Prishtinës, konkretisht Fakulteti i Mjekësisë, kishte shpallur një konkurs për pozitën: asistent.

Në këtë konkurs kishin aplikuar nëntë persona, shkruan Gazeta Insajderi.

Tre anëtarët e Komisionit Vlerësuar për pozitën asistent, fillimisht e kishin përzgjedhur kandidatin Bleron Faiku.

“Pasi që në konkurs është parapa vetëm një asistent, dhe në kondita pothuajse të barabarta mes kandidatëve komisioni i jep përparësi Dr. Bleron Faikut, që të zgjidhet në thirrjen akademike të asistentit për lëndët: Anatomia e dhëmbëve human dhe morfologji, Propedeutika stomatologjike, meqë ka të grumbulluara 39.81 pikë bazuar në shtojcën IV, pika b”, thuhet në Raportin e Komisionit Vlerësues të nxjerr më 14 qershor 2021, transmeton Gazeta Insajderi.


Raporti i Komisionit Vlerësues

Shtojca IV, pika b e Rregullores thotë se “kandidatët që kanë përfunduar studimet master në UP dhe të cilët i plotësojnë kriteret e Statutit të UP-së, kanë përparësi ndaj kandidatëve që studimet i kanë përfunduar në institucionet tjera të arsimit të lartë të Kosovës dhe vendeve fqinje të Kosovës, pavarësisht pikëve të grumbulluara në kategoritë përkatëse”.

Raporti i Komisionit Vlerësuar ka thënë se Dr. Blerta Dollaku-Shkreta, nuk ka përparësi për pozitën e asistentes, pasi studimet i ka kryer në Universitetin e Tiranës.

“Dr. Blerta Dollaku-Shkreta pavarësisht grumbullimit të pikëve 50.34, sipas rregullores me nr. 191, shtojca IV, pika b fusnota 17, nuk i jepet përparësi pasi që studimet i ka kryer jashtë UP-së, në Universitetin e Tiranës”.

Ndaj raportit të Komisionit Vlerësues është ankuar Blerta Dollaku-Shkreta.

E njëjta pas ankesës ka marrë mbështetjen për asistente nga Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë.

“Pas shqyrtimit të ankesës, Komisioni i ankesave identifikoi në ankesën e kandidates përgjigjen respektivisht interpretimin e fusnotës 17 nga ana e Sekretarit të Përgjigjëm të UP-së që konstaton se fusnota ‘është menduar të bëhet në kushte të barabarta të kandidatëve që aplikojnë në konkurs’”, thuhet në raportin e punës së Këshillit të Mjekësisë, transmeton Gazeta Insajderi.

Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë, dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i UP-ës, për vendimet që i kanë marrë pro doktoreshës Dollaku-Shkreta, por nuk kanë dhënë përgjigje pse kanë vepruar në kundërshtim me Rregulloren, përpos atyre që i kanë dhënë në shkesat paraprake.

Çështja më pas ka kaluar në organin më të lartë të UP-së, në Senat – organ ky që i ka dhënë të drejtë doktoreshës Dollaku-Shkreta.

Ndaj vendimit të senatorëve, të marrë më 2 nëntor, është ankuar kundërkandidati tjetër, Bleron Faiku, i cili fillimisht ishte zgjedhur për pozitën e asistentit në Fakultetin e Mjekësisë./Gazeta Insajderi/

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë