Loading…

Ura e Ibrit është dashur të hapej sot

  • Nga

  • 20/01/2017 | 14:18

Ura e Ibrit është dashur të hapej sot

Ura që mendohej se do rivitalizohej sot, vazhdon të ndajë Mitrovicën. Ani pse ishte arritur marrëveshje në Bruksel që të lëshohej për qarkullim, kjo gjë nuk ka ndodhur.


Me 2 dhe 3 gusht, nga Brukseli vinin lajme të mira për Mitrovicën, pasi ura që është e bllokuar qe menjëherë paslufte do të lirohej pas 5 muajsh, pikërisht me datë 20 janar.

E, 20 janari e gjeti Kosovën e Mitrovicën në një situatë çka nuk ishte paraparë në gushtin e vitit të shkuar. Përveç që ura nuk po lëshohet për qarkullim, në pjesën veriore të urës është vendosur një mur afër 2 metra që thellon ndarjet mes shqiptarëve dhe serbëve.

Mos lirimi i qarkullimit të lirë, siç ishte paralajmëruar, por edhe vendosja e murit në veri, bëri regres në marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë. Rritjes së ritmit të ecjes prapa në normalizimin e marrëdhënieve, i kontribuoi edhe treni propagandistik që u nis nga Beogradi e që cak kishte Mitrovicën.

Treni që u pa si një kërcënim serioz për sovranitetin e Kosovës u ndalua të hyjë në territorin e Kosovës, gjë që solli reagim pozitiv ndaj institucioneve kosovare. Por, si pengesë dhe sfidim i sovranitetin të Kosovës po vazhdon të qëndrojë muri në veri.
Ani pse për murin serbët thonë se është brenda marrëveshjes me BE’në, pala kosovare duket e vendosur që do ta rrënojë.

“Kryeministri në mbledhjen e qeverisë e bëri të qartë qëndrimin për këto zhvillime, pra ky është qëndrimi ynë si qeveri, përfshirë edhe murin që do të hiqet, ashtu siç vepruam edhe me ndaljen e trenit”, ka thënë ministrja për Dialog, Edita Tahiri.

Por, heqjen e murit e bëri konfuze edhe një deklaratë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Ani pse institucioni që ai udhëheq nxori një rezolutë ku kërkohej që muri të hiqej në muajin janar, Kadri Veseli para disa ditësh tha se muri mund të hiqet brenda datës 1 dhe 17 shkurt.

E për murin që pamundëson edhe rivitalizimin që është paraparë të ndodhte sot, i pafuqishëm është edhe kryetari i komunës jugore të Mitrovicës. Agim Bahtiri ka thënë dje për gazetametro.net se muri nuk është në komunën që ai udhëheq, dhe si rrjedhojë nuk është kompetencë e tij.

“Muri është përgjegjësi e komunës së Mitrovicës Veriore dhe organeve e autoriteteve të atjeshme. Mitrovica e Jugut dhe unë nuk kemi asgjë të bëjmë me murin ilegal dhe joligjor që është ndërtuar në cepin verior të urës mbi Ibër”, ka potencuar Bahtiri.

Ndërkohë, mosheqja e murit po pamundëson rivitalizimin e urës, pasi që nga ndërtimi i tij, punimet në këtë projekt kanë ndaluar.

Për të ilustruar çarjen që po ndodhë në raportet Kosovë-Serbi, janë edhe iniciativat e BE’së për një takim kryeministrash, por edhe telefonata e zëvendëspresidentit amerikan Biden, drejtuar presidentit Thaçi.

Por, ndonëse marrëveshjet e Brukselit janë obliguese për palët e dialogut, kjo për rivitalizimin e urës nuk po respektohet, sic zakonshëm ndodhë me shumë nga marrëveshjet që arrihen në Bruksel.

Ndërkohë, qytetarët që shpresuan, ende do të duhet të përdorin rrugët dytësore për të dalë nga veriu në jug apo anasjelltas./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë