Loading…

Urbanizimi masiv i parë si mundësi e jo si rrezik

  • Nga

  • ADRI NURELLARI

  • 24/01/2020 | 15:47

Urbanizimi masiv i parë si mundësi e jo si rrezik

Diskutimi për ndërtimin në një pjese të liqenit të Badovcit risolli në vëmendje të opinionit publik çështjen e urbanizimit në Kosovë. Faktikisht Kosova ka pësuar pas luftës një proces të shpejtë të urbanizimit në shumicën e kohës ka qenë i paplanifikuar apo i egër sikurse përmendet shpesh.


Shkruan – Adri Nurellari

Nevoja e jashtëzakonshme për strehim pas shkatërrimit të luftës solli një valë masive ndërtimi të cilën strukturat embrionale institucionale shtetërore që merreshin me planifikim urban e dhënie lejesh, nuk mundën ta përballonin dot. Për rrjedhojë infrastruktura përkatëse që do duhej ti shoqëronte këto ndërtime sikurse rrugët, kanalizimet, ujësjellësi, mbledhja e përpunimi i mbeturinave etj. të cilat janë zakonisht përgjegjësi e shtetit, ngelën të prapambetur. Si pasojë ky urbanizim problematik u karakterizua mes të tjerash nga ndotje e tepruar, trafik, shërbime publike të munguara ose jo cilësore që kanë lënë gjurmë të thella në mentalitetin publik në përgjithësi për sa i përket procesit të urbanizimit.

E gjithë kjo situatë ka bërë që kur të flitet për zhvillime të reja urbane apo projekte të mëdha investimi në ndërtim menjëherë të ngjallet një dyshim i madh e pakënaqësi në publik. Pavarësisht se sektori i ndërtimit është një ndër motorët e zhvillimit të Kosovës duke punësuar së paku 11% të të punësuarve, ai shpesh shikohet si burim i të keqes, si gjenezë e korrupsionit për të marrë leje apo abuzimit me mirëqënien e banorëve. Ky perceptim i gabuar ka bërë që në përgjithësi zgjerimi i hapësirës urbane të konsiderohet automatikisht si një padrejtësi që i bëhet natyrës e jo si një mundësi zhvillimi. Jo më kot Lëvizja Vetëvendosje pak kohë pasi erdhi në pushtet në Prishtinë ndërmorri një akt populist dhe ndaloi për njëfarë kohe ndërtimet në Prishtinë duke akuzuar ndërtuesit e mëdhenj si financues kryesor të partive politike.

Përpos këtyre, shihen shpesh reportazhe apo kronika televizive që flasin gjithë pikëllim e nostalgji për fshatra që janë zbrazur apo që janë tërësisht braktisur. Të krijohet përshtypja sikur ish-banorët që kanë qenë aty kanë bërë ndonjë tragjedi që kanë ikur duke këruar një jetë më të mirë në qytet. Po ashtu ky opinion shtohet prej një qasje disi “elitiste” kundër të drejtës natyrore për mobilitet social që ka çdo individ. Nga ana tjetër ka shumë banorë urbanë që e shikojnë me përçmim e inat “dyndjen e katundarëve në qytet” sikur të sapoardhurit nga zonat rurale janë duke zaptuar një pjesë të monopolit të tyre apo janë duke kërcënuar mirëqënien e tyre. Përveçse një manifestim i snobizmit e paragjykimit provincial të këtyre pseudo-urbanasve që acarohen prej ardhacakëv nga fshatrat, ky reagim vjen edhe si pasojë e mos-kuptimit të dobisë që urbanizimi masiv ka për të gjithë përfshi edhe ata.

Është e vërtetë që urbanizimi ka disa rreziqe e pasoja negative nëse nuk shoqërohet me planifikim urban, mirëpo njëherazi urbanizimi në vetëvete është një mundësi e jashtëzakonshme zhvillimi. Gjatë gjithë historisë, qytetet kanë qenë qendrat kryesore të tregtisë, sipërmarrjes, arsimit, kulturës dhe inovacionit dhe nuk është për t’u habitur që vendet më urbane në botë kanë tendencë të jenë më të pasurit dhe kanë zhvillimin më të lartë njerëzor. Edhe pse vetëm gjysma e njerëzve jetojnë në qytete, ata gjenerojnë më shumë se 80 përqind të Prodhimit të Brendshëm Global (PBB) gjë që lë të kuptoj se rbanizimi i shpejtë ka një potencial për të përmirësuar mirëqenien e shoqërive. Për pasojë jo vetëm që shoqëria shqiptare nuk duhet ta pengojë apo ta urrejë por duhet ta përqafojë dhe nxisi. Aq më tepër që kur dihet se është proces i pandalshëm, është më mirë që të bëhemi gati për të e mos të përpiqemi ti kundërvihemi një procesi të pandalshëm.

Sipas OKB-së, sot mbi 55% e popullsisë së botës jeton në zona urbane ndërsa parashikohet që kjo e dhënë të shkoj në 68% e deri në vitin 2050. Prej vitit 1950, popullsia urbane në botë është rritur pothuajse gjashtëfish, duke shkuar nga 751 milion në 4.2 miliardë në vitin 2018 dhe viti kyç ishte vitit 2009 kur popullsia urbane tejkaloi atë rurale. Ky trend ka prekur edhe trojet shqiptare., Në censusin e fundit të vitit 2011 popullsia urbane e Republikës së Kosovës ishte 38% dhe ajo rurale 62% ndërsa në Republikën e Shqipërisë urbane ishte 53.7% dhe ajo rurale 46.3%. Mirëpo në të dyja rastet tendenca ka qenë në rritje të shpejtë që shpesh është trajtuar si jo e mirëpritur.

Ka ardhur koha që mentaliteti publik përkundrejt sektorit të ndërtimit të ndryshojë dhe urbanizimi të mirëpritet duke u parapërgatitur për sfidat që sjell. Një ndër studiuesit që e ka shpjeguar më mirë dobinë e qyteteve është Geoffrey ëest i cili argumenton se sa më i madh të jetë qyteti, aq më shumë shtohen pagat, rritet numri i institucioneve arsimore, shumëfishohen ngjarjet kulturore, bëhen më shumë shpikje e regjistrohen më shumë patenta e kështu me radhë. Sipas tij egziston një eksponent universal me raportin afërsisht 1 me 1.15 që do të thotë se “Nëse dyfishoni madhësinë e një qyteti nga 50,000 në njëqind mijë, një milion në dy milion, pesë milion në dhjetë milion, ai nuk ka rëndësi se çfarë, në mënyrë sistematike, realizohet një rritje afërsisht 15 përqind më shumë të produktivitetit, patentave, numrit të institucioneve kërkimore, pagave e kështu me radhë. Nga ana tjetër merret një kursim sistematik 15 përqind në gjatësinë e rrugëve dhe infrastrukturës së përgjithshme.”

Zëmra e ekonomisë bashkohore është padyshim tregtia dhe në këtë fushë urbanizimi i mëtejshëm i jep një hov të madh këtij sektori duke shtuar ndjeshëm gamën e të mirave e shërbimeve që ofrohen në treg duke shtuar diversitetin e ekonomisë. Kjo do të thotë se më shumë urbanizëm përkthehet në më shumë tregti dhe rritja e tregtisë do të thotë më shumë zhvillim e mirëqënie. Tregtia historikisht ka qenë kryesisht një atribut ekskluziv i qyteteve dhe shumë qytete e kanë pasur zanafillën si udhëkryqe apo vende tranziti të rrugëve tregtare. Janë banorët e fshatrave ata që në mënyrë preiodike shkojnë nëpër zona urbane për të shitur prodhimet bujqësore apo blegtorale e për të blerë ato mallra e shërbime që mund të gjenden vetëm nëpër qytete.

Po ashtu është e kuptueshme që kultura e sporti gëlon më së miri në hapësirë urbane të madhe sepse qyteti i jep mundësi më shumë individëve që të ndërveprojnë, punojnë dhe komunikojnë me njëri-tjetrin në afërsi duke gjallëruar jetën kulturore. E njëjta gjë vlen për arsimin, shkencën dhe teknologjinë që janë fusha që mund të shtohen ndjeshëm në kushtet kur rritet konkurenca në kushtet e një përqëndrimi më të madh të njerëzve. Burimet njerëzore më cilësore përkthehen në mënyrë të natyrshme në një hov më të madh të rritjes ekonomike.

Padyshim që e njëjta gjë vlen për dimensionin politik, fundja emri politikë e ka origjinën tek fjala e greqishtes së lashtë polis, që do të thotë qytet. Të banuarit kolektiv në fqinjësi me njëri -tjetrin të njerëzve të ndryshëm që nuk kanë lidhje gjaku, detyron qytetarët që të jenë më të hapur ndaj diversitetit, pluralizmit, dialogut, bashkëpunimit, mirëbesimit të ndërsjelltë dhe elementeve të tjerë të kulturës politike të një demokracie. Gjithashtu krijon më shumë mundësi për aktivite jashteshkollore apo jashtë punës, për organizata joqeveritare, iniciativa vullnetariati, organizime bamirëse e të tjera veprimtari të shoqërisë civile që shtojnë kapitalin social të një vendi.

Një tjetër sektor i ekonomisë që përfiton drejtpërdrejtë nga zmadhimi i qyteteteve është turizmi i cili lulëzon më së shumti në hapësira urbane. Përqëndrimi më i madh i hoteleve, restoranteve, lokaleve, bareve e kafeneve janë nëpër qytete dhe sot ky sektor përbën një pjesë t ëmirë të burimit të të ardhurave dhe punësimit për shoqërinë shqiptare. Po ashtu qytetet përbëjnë një atraksion më vete për turistët e huaj duke shërbyer si magnet për konsumatorë të huaj të cilët gjithnjë e më shumë parapëlqejnë arratisjet disa ditore për të eksploruar qytetet e mëdha.

Për sa u kritikave ambientalistë kundër urbanizimit duhet vënë në dukje se faktikisht dendësia e lartë urbane është goxha beninje për mjedisin. Studimet tregojnë se kompaktësia urbane është një përcaktues kryesor i përdorimit kursimtar të energjisë. Po ashtu minimizon ndotjen e hidrokarbureve sepse lëvizja e qytetarëve është më e mundur nëpërmjet ecjes në këmbë, biçiklet e transport publik në kushtet e afërsisë fizike që ekziston brenda një qyteti. Urbanizimi nxit edhe masivizimin e e risive shkencore apo inovacionet duke përfshirë këtu teknologjitë e gjelbërta. Këtu kuptohet që urbanizimi shton mundësinë e arsimimit dhe informimit të qytetarëve duke rritur vetëdijen ekologjike, e cila është thelbësore për hartimin, miratimin dhe zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve më të rrepta për mbrojtje mjedisore.

E njëjta gjë vlen për qasjen në infrastrukturën moderne që kufizon dëmtimin e ambjentit prej njerëzve. Pra duke banuar në qytet është e mundur shfrytëzimi i infrastrukturës së padëmshme për ambjenti sikurse janë uji me tuba, kanalizimet e ujërave të zeza, administrimi i mbeturinave etj. Të gjitha këto elemente të infrastrukturës urbane janë shumë më të lehta dhe më ekonomike për t’u ndërtuar, mirëmbajtur dhe operuar në një mjedis urban. Në zonat rurale ato janë pothuaj inekzistente. Kjo gjë do të thotë se përtej romantizimit që kemi ne për fshatin, shumica e vendbanimeve rurale i hedhin në natyre të papërpunuara plehërat e mbeturinat dhe i derdhin direkt nëpër përrenj e lumenj ujërat e zeza. Nga ana tjetër është e kuptueshme që kur vjen fjala për të vënë në zbatim rregullat apo ligjet që janë kundër ndotjes, brenda një qyteti monitorimi është shumë më i lehtë e rigoroz ndërsa është e vështirë që autoritetet të kontrollojnë e ndëshkojnë ndotjen që realizohet në periferi.

Ekologjia është padyshim një luks përkundrejt zhvillimit gjë që në një farë mënyre do të thotë se sa më pak njerëz të varfër të kemi aq më shumë do kemi ndjeshmëri përkundrejt mbrojtjes së ambjentit. Në mënyrë të tërthortë pra duke ofruar mundësi për zhvillim e pasurim urbanizimi nxit një qëndrim pro-mjedisor midis më shumë qytetarëve që janë bërë pjesë rishtazi të klasës së mesme. Njerëzit e varfër mendojnë më së pari për mbijetesë e mandej tregohen të ndjeshëm për florën dhe faunën. Për të gjitha këto arsye por edhe për faktin që urbanizimi është një tren i pandalshëm, do të ishte mirë që të ndryshohej qëndrimi i opinionit publik përkundrejt procesit të urbanizimit dhe të bëhej presion ndaj qeverisë qendrore e lokale që të ndërmerrin hapa konkret përgatitor për zgjerimin dhe modernizimin e hapësirave urbane.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë