Loading…

Ushqimet që mund të konsumohen pa kufizime nga diabetikët

  • 28/02/2017 | 09:31

Ushqimet që mund të konsumohen pa kufizime nga diabetikët

Të jesh diabetik, nuk do të thotë që duhet të heqësh dorë nga të gjitha llojet e ushqimeve për të mbajtur nën kontroll nivelin e sheqerit në gjak.

Shpesh personat me këtë sëmundje, frikësohen për shkak të tabusë që ka ekzistuar prej kohësh, se të qenit me diabet do të thotë të ndalosh së ngrëni një sërë ushqimesh.

Por, më shumë se kufizim, duhet ndryshuar stili i jetesës së këtyre pacientëve, i cili duhet orientuar jo drejt kufizimit të ushqimit, por drejt menaxhimit më të mirë të mënyrës së të ushqyerit, ku një rol të rëndësishëm luan përcaktimi i rregullt i vakteve dhe sasisë së ushqimeve që duhen ngrënë në secilin vakt.

Mjekët e këtij shërbimi në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, krahas terapisë medikamentoz po i orientojnë pacientët edhe drejt rregullave të thjeshta që të mos lejojnë rëndimin e kësaj sëmundje, e cila duhet mbajtur nën kontroll gjatë gjithë jetës, pasi nuk flitet për një shërim të saj. Për këtë, ata kanë shpallur edhe një udhëzues nëpërmjet të cilit, rekomandojnë hapat që duhet të ndjekim ndaj përditshmërisë tonë për të mos qenë të varur nga ndërlikimet e kësaj sëmundje. Rëndësia e dietës në mjekimin e diabetit, nuk ndalet në kufizime drastike.

Sipas, mjekëve të QSUT-së, i sëmuri me diabet mund të marrë çdo lloj ushqimi, por sasia do të ndryshojë në varësi të përmbajtjes së sheqernave dhe yndyrave që ato kanë. “Dieta ka shumë rëndësi në mjekimin e diabetit. Disa persona me diabet arrijnë vlera normale të sheqerit në gjak vetëm duke mbajtur dietën e rekomanduar nga mjeku endokrinolog dhe pa asnjë mjekim tjetër shoqërues. Dieta është specifike për çdo person me diabet.

Ajo varet nga metabolizmi bazal, nga BMI-ja (indeksi trupor, i cili përcaktohet nga pesha dhe gjatësia e personit) dhe nga aktiviteti i tij fizik. Pra është specifike për çdo person që jeton me sëmundjen e diabetit”, sqarohet në udhëzimin edukues të përgatitur për pacientët diabetikë. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar konkretisht se cilat janë këto rregulla që nuk duhen neglizhuar.

Sa vakte duhet të marrë një person me diabet gjatë ditës, si dhe në cilën pjesë të ditës ?

Po sipas të dhënave të detajuara nga ekspertët e këtij shërbimi thuhet se një person me diabet duhet të marrë 3 vaktet kryesore dhe 3 vakte të ndërmjetme që njihen ndryshe si (mini vakte) pra gjithsej 6 vakte në ditë. Vaktet kryesore merren zakonisht: Në mëngjes, në orën 8.00, në drekë, në orën 14.00, dhe në darkë n orën 20.00. Vaktet e vogla, merren midis vakteve kryesore, në orën 11.00, në orën 17.00 dhe në orën 23.00 ku rekomandohet më së shumti të konsumohet një frut. Shumë e rëndësishme është që vaktet të merren pothuajse në të njëjtën orë çdo ditë dhe hapësira nga vakti në vakt të jetë e njëjtë. Pra pacienti duhet të respektojë këtë rregull që të mos lërë kalimin e shumë orëve pa ngrënë. Një vakt ushqimor duhet të përmbajë me patjetër karbohidratet (sheqerna) të nevojshme.

Në çfarë sasie duhet t’i marrim përbërësit kryesore?

Ka një rregull të përgjithshëm, të cilin pacientët nuk duhet ta neglizhojnë, pasi në këtë formë mbahen nën kontroll ndërlikimet e sëmundjes. Zakonisht përqindja e përbërësve kryesore ushqimore të një vakti duhet të orientohet drejt një skeme të tillë ku: 40 për qind duhet të jenë karbohidrate, 40 për qind të tjera duhet të jenë proteina, si dhe pjesa e mbetur prej 20 për qindësh duhet të përbëhet nga yndyrat, kryesisht ato që listohen si yndyra të mira.

Ushqimet që mund të merren pa u kufizuar në sasi

Ekziston edhe një grup i detajuar ushqimesh të cilat mund të merren dhe pa sasi të kufizuara, pasi përbërja e tyre nuk sjelle dëme në organizëm, ndryshe nga sa mund të ndodhë nëse marrim sasi të mëdha të ushqimeve të tjera që mbeten jashtë kësaj liste. Konkretisht në listën e ushqimeve që mund të konsumohen, pa kufij nga të sëmurët kanë të bëjnë me :“ Uji, kafeja duhet të jetë pa sheqer, çajrat po ashtu duhet të jenë pa sheqer, rrepë, speca, spinaq, kungulleshka, sallatë jeshile, qepë, panxhar i kuq, lëng zarzavatesh, lakër e bardhe, lulelakër, kastravecë, domate, patëllxhan, domate, bamje, karota, mollë”.

Rekomandohen të merren përditë, por në sasinë e caktuar:

Bukë 1/2 e bardhë 50 gr, bukë me drithëra 60 gr.

oriz i gatuar 50 g, makarona të gatuara 50 gr.

patate 60 g, patate të skuqura 30 g, pure patatesh 70 g.

qumësht 200 ml, kos frutash 180 g.

bizele të gatuara 20 g, fasule të bardha bishtaja 2 lugë supë, bizele të vogla 50 gr.

Nuk rekomandohen :

Pasta me krem (sheqer), ëmbëlsira në përgjithësi.

-të skuqura (yndyra)

-pije të ëmbla dhe të gazuara

-pije alkoolike, birra

Si të ndërtojmë një vakt normal për një person me diabet ?

 Mëngjesi : bukë + qumësht + djathë + vezë e zier

Dreka : bukë + supë perimesh + mish peshku ose pule + sallatë perimesh

Darka : bukë + supë zarzavatesh ose makarona + kos

Vakti i ndërmjetëm: një frut, Kos frutash, sallatë perimesh ose 3 biskota.

 

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë