Loading…

Vajza nga Drenasi kërkon sqarime nga Prokuroria: Pse u akuzuan tre persona tjerë për rastin tim

  • 01/11/2019 | 19:46

Vajza nga Drenasi kërkon sqarime nga Prokuroria: Pse u akuzuan tre persona tjerë për rastin tim

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, të mërkurën ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë të pandehurve lidhur me abuzimin seksual të së miturës nga Drenasi, rast i ndodhur më 2016’ën. Lidhur me këtë, viktima kërkon nga Prokuroria të sqarojnë pse në listë janë futur edhe tre persona të tjerë.


Prokuroria ka treguar se të pandehurit kryen veprat penale keqpërdorim seksual, keqpërdorim i pozitës, autoritetit apo profesionit, nxitje e akteve seksuale me premtim të rremë të martesës, shtytje në ndërprerjen e palejuar të shtatzënësisë dhe frikësim gjatë procedurës penale.

E mitura nga Drenasi në një deklaratë për Periskopin ka hedhur kritika ndaj Prokurorisë për aktakuzën që ka lëshuar ndaj të pandehurve me inicialet (F.C., E.R., H.H.), duke thënë se këta tre persona nuk kanë abuzuar me të seksualisht.

Ajo ka thënë se kjo gjë do të sqarohet dhe se tre personat në fjalë nuk është dashur të futen në këtë vepër penale, vetëm pse ata kanë shkruar për rastin.

“ Prokuroria është gabim sepse (F.C E. R H.H) absolutisht këta nuk kanë të bëjnë më aktakuzë, veç i kanë fut qashtu. Unë kam përfunduar shkollën e mesme dhe nuk kam vazhduar më tutje. Jo nuk kam pas kontakt më me ata. Unë nuk kam pas absolut kurgjo me ta, edhe Prokuroria duhet m’u sqaru mire se për cfarë veprash kanë të bëjnn, e jo me shkru aty me thënë keqpërdorim seksual. Vec pse kanë shkru kta tre për rastin për këtë i kanë futë, unë nuk mujë me ua ndalë gojën. Edhe ashtu kur të fillon procesi gjyqësor ka mu vërtetu se ata nuk ngarkohen me këtë vepër”, ka thënë vajza nga Drenasi.

Në anën tjetër, avokati i saj, Mentor Neziri n ka treguar se për ngritjen e aktakuzës ndaj gjashtë personave e ka kuptuar përmes mediave.

Sipas tij, Prokuroria i ka ftuar të hënën për ta marrë dosjen, dhe se nuk kanë informata më shumë.

“Krejt çka jemi të informuar jemi nga mediat, ende nuk kam marrë akuzën në dorë, Prokuroria na ka informuar që të hënën të shkojmë ta marrim dosjen, unë përafërsisht e di se ndaj kujt është ngritur aktakuzë, por pa qenë zyrtare nuk mundem të flas, jemi duke pritur të hënën të shkojmë”, ka thënë avokati Neziri

Rasti skandaloz kishte filluar kur nëntë muaj më parë, në Drenas, një 16-vjeçare kishte shkuar në polici për të denoncuar profesorin e saj me pretendimet se ai kishte abuzuar seksualisht me të.

E gjithë storia e saj kishte filluar më 14 shtator 2016, kur kjo 16-vjeçare kishte kërkuar ndihmë në stacionin e policisë duke paraqitur rastin.

Siç kishte rrëfyer ajo, me të përfunduar dhënia e deklaratës, hetuesi-polic me inicialet V.V i kishte kërkuar të miturës të zhveshet për ta fotografuar atë me preteksin se duheshin pamjet si ekspertizë mjeko-ligjore.

E mitura kishte treguar se hetuesi V.V., nën kërcënim dhe shantazh e kishte detyruar të bënte marrëdhënie seksuale me të. Pas shfrytëzimit seksual për më shumë se një vjet, vajza kishte mbetur shtatëzënë. Hetuesi, e kishte detyruar vajzën ta abortonte në klinikën e gjinekologut, Fehmi Ahmeti në Prishtinë. Siç kishte treguar ajo aborti i fëmijës ishte kryer më 15 janar 2019 në ora 16 e 20 minuta.

Ndërkaq rasti u bë i ditur nga avokati i atëhershëm i të miturës, Gazmend Halilaj, i cili kishe denoncuar rastin në Polici.

Rasti u thellua edhe më shumë kur vetë avokati Gazmend Halilaj u bë përfshi si i dyshuar në rastin për abuzim seksual ndaj të miturës. Këto akuza ishin mohuar nga Halilaj, por megjithatë ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës për ““keqpërdorim i detyrës zyrtare”- neni 422, “keqpërdorim seksual duke keqpërdorur pozitën zyrtare apo profesionin”- neni 239 dhe veprës penale “frikësim gjatë procedurës penale” nga neni 395 i Kodit Penale të Kosovës. Me kërkesë të prokurorisë, Halilaj ishte lënë në burg shtëpiak, ndërsa më vonë ishte liruar me detyrim në paraqitje në gjykatë.

Rasti po vazhdon të trajtohet nga organet e drejtësisë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë