Nga rrotullimi i rrobave deri te shfrytëzimi i hapësirës brenda këpucëve, këto këshilla e bëjnë paketimin shumë më të lehtë para çdo udhëtimi
Rrobat e shpërndara mbi shtrat, pyetja e përhershme “po sikur të më duhet?” dhe valixhja që mezi mbyllet janë skena të njohura para çdo udhëtimi. Por paketimi nuk duhet të jetë gjithmonë stresues.
Me disa truke të thjeshta, mund të kurseni hapësirë, të shmangni rrëmujën dhe të udhëtoni më lehtë, pa marrë me vete gjysmën e gardërobës.
Shfrytëzoni hapësirën brenda këpucëve
Një nga mënyrat më praktike për të fituar hapësirë është përdorimi i brendësisë së këpucëve. Aty mund të vendosni çorape, produkte të vogla kozmetike ose sende të brishta, të mbështjella mirë. Kështu shmangni edhe marrjen e një çante të madhe kozmetike, ndërsa shishet e vogla mbrohen më mirë nga goditjet.
Përdorni qese vakumi
Nëse e keni të vështirë të udhëtoni me pak rroba, qeset e vakumit mund të jenë zgjidhje shumë praktike. Ato e zvogëlojnë ndjeshëm volumin e rrobave dhe ju lejojnë të fusni më shumë gjëra në një valixhe më të vogël. Kjo është veçanërisht e dobishme nëse dëshironi të udhëtoni vetëm me bagazh dore dhe të shmangni pritjet në aeroport.
Mendoni për kombinime, jo për çdo skenar
Gabimi më i shpeshtë është paketimi i rrobave “për çdo rast”. Në vend të kësaj, zgjidhni veshje që kombinohen lehtë mes tyre. Një formulë e thjeshtë është modeli 3-2-1: tri pjesë të sipërme, dy pjesë të poshtme dhe një xhaketë ose veshje e lehtë për mbrëmje më të freskëta.
Palosni me kujdes fustanet e gjata
Fustanet e gjata mund të zënë shumë vend dhe të rrudhosen lehtë. Një truk i mirë është që gjysmën e fustanit ta vendosni në valixhe, ndërsa pjesën tjetër ta palosni mbi rrobat e tjera pasi t’i keni sistemuar. Kështu fustani rrudhoset më pak dhe duket më i rregullt kur arrini në destinacion,
Kujdes me kozmetikën
Produktet kozmetike janë ndër gjërat që më shpesh shkaktojnë telashe gjatë udhëtimit. Kapakët nuk janë gjithmonë të sigurt, prandaj para se t’i mbyllni, vendosni një copë të vogël folie plastike mbi grykën e shishes dhe pastaj shtrëngoni kapakun. Kjo ndihmon në parandalimin e rrjedhjes.
Një zgjidhje edhe më praktike janë shamponët e ngurtë, sapunët në copë dhe tabletat për dhëmbë, sepse nuk derdhen dhe nuk hyjnë në kufizimet për lëngje në aeroport. Nëse megjithatë ju duhen produkte të lëngshme, hidhini në shishe të vogla, në vend që të blini paketime udhëtimi që shpesh janë më të shtrenjta.