Kardiologu, Sulejman Çelaj përmes një postimi në Facebook ka reaguar për vdekjen tragjike të futbollistit junior të Trepçës’89, Erion Kajtazi. Ai ka pasur kritika për ekzekutivin rreth neglizhencës që të merren me një çështje mjaft të rëndësishme të cilën e kishte propozuar ai, transmeton Gazeta Metro.
Ai ka thënë se kishte ardhur në Kosovë gjatë këtij viti me donacione me vlerë rreth 50,000 dollarë konkretisht me defibrillator që shpëtojnë jetë në raste të tilla. Ndërkaq, projektligji i propozuar nga ana e tij nuk është përfillur nga qeveritarët.
Tutje, Çelaj ka pyetur kryeministrin, Albin Kurti, presidenten, Vjosa Osmani dhe ushtruesen e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku se edhe ”sa duhet të vdesin që dikush të mirret me këtë çështje”.
”Në Qershor isha ne Kosove me donacione me vlere rreth 50,000$ kryesisht defibrillator qe shpetojne jete ne raste te ketilla (rasti i Eriksen Danemarke). Projektligj për ta bere te detyrueshme ne vende publike ja kemi paraqitur Min. se Shendetsise por akoma nuk eshte diskutuar apo aprovuar ne Kuvend. Edhe sa duhet te vdesin qe dikush te mirret me kete çeshtje Albin Ķurti Vjosa Osmani Dafina Gexha,” ka shkruar ai.
Kujtojmë se dje në ndeshjen e kategorisë së juniorëve ndërmjet A&N dhe Trepçës’89 ndërroi jetë mitrovicasi, Erion Kajtazi.
Edhe pas përpjekjeve maksimale të mjekëve, Kajtazi nuk kishte dhënë shenja jete dhe është konstatuar vdekja e tij nga ataku kardiak.
Ai kishte qenë përfaqësues i Kosovës U-17, ndërsa së fundmi ishte ftuar për prova disa javore nga gjiganti belg, Anderlecht. Pozita e preferuar e Kajtazit në fushë kishte qenë sulmues qendror. /gazetametro.net
Postimi i plotë i Sulejman Çelajt: