Aktorja e njohur turke, Ece İrtem, ka ndërruar jetë papritur në moshën 35-vjeçare. Ajo ishte shumë e dashur për publikun, veçanërisht për rolin e saj si “Işıl” në serialin e famshëm “Kızılcık Şerbeti”, një karakter që mori vëmendje të madhe në sezonet e fundit të kësaj drame të suksesshme.
Sipas raportimeve të mediave turke, Ece İrtem ndërroi jetë në shtëpinë e saj, ku dyshimet e para flasin për një infarkt kardiak. Megjithatë, konfirmimi zyrtar pritet të vijë vetëm pas publikimit të raportit të plotë të autopsisë. Një detaj edhe më prekës që ka përlotur ndjekësit është se aktorja kishte festuar ditëlindjen e saj vetëm një ditë përpara se të ndërronte jetë.
Përmes një deklarate zyrtare, avokati i saj konfirmoi se vdekja ka ndodhur rreth mesditës në banesën e aktores, teksa ajo ndodhej së bashku me nënën e saj. Avokati sqaroi se gjetjet fillestare tregojnë për një sulm në zemër, por hetimet janë ende në vijim. Ai hodhi poshtë të gjitha thashethemet dhe pretendimet që po qarkullojnë në rrjetet sociale, përfshirë ato për vetëvrasje, duke i bërë thirrje publikut të presë rezultatet zyrtare të autopsisë.