Policia e Kosovës në Ranillug, dje rreth orës 13:30, është njoftuar për një aksident në fshatin Domoroc, komuna Ranillug.
Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes mësohet se derisa viktima, serb shtetas i Kosovës (1960), ka qenë duke drejtuar traktorin e tij, në një moment ka humbur kontrollin mbi mjetin që e drejtonte duke u rrokullisur jashtë rrugës.
“Disa persona që kanë qenë në vend të ngjarjes si dëshmitarë, e kanë dërguar me urgjencë viktimën e lënduar rëndë në ambulanten e Ranillugut ku, edhe përkundër përpjekjeve të mjekut kujdestar, ai ka mundur vetëm ta konstatoj vdekjen e tij, si pasojë e plagëve të marra në vet-aksident”, thotë Policia e Kosovës.
Ekipi i Policisë së Kosovës nga hetimet rajonale ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe ka mbledhur informacione nga dëshmitarë okularë.
Prokurori i shtetit ka urdhëruar që trupi i pajetë i të ndjerit t’u dorëzohet familjarëve. Rasti i kompletuar dorëzohet në Prokurori.