Loading…

Vëllezërit Haradinaj nuk intervistohen nga autoritetet për “rrahjen e një punëtori”

  • 16/09/2020 | 19:55

Vëllezërit Haradinaj nuk intervistohen nga autoritetet për “rrahjen e një punëtori”

Siç ndodh rrallë në rastet kur dikush e denoncon dikë për sulm fizik, Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk i ka ftuar për intervistim vëllezërit Haradinaj.

Personi që po e synon postin e presidentit, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e vëllai i tij, deputeti Daut Haradinaj, janë denoncuar në Policinë e Kosovës më datë 22 qershor, se i kanë shkaktuar lëndim të lehtë trupor një punëtori të atëhershëm.

Të dy hallkat e hetuesisë, siç ka mësuar KOHA, nuk i kanë ftuar ende Haradinajt për intervistim, ani pse tashmë nga rasti kanë kaluar tre muaj. Pretendimin se një punëtor është sulmuar nga Haradinajt fillimisht në polici e kishte lajmëruar një doktoreshë, e cila e ka kontrolluar viktimën.

KOHA posedon deklaratën e saj që ka arritur në polici, por për të ruajtur burimin nuk po e publikon si dokument. Doktoresha kishte telefonuar qendrën e thirrjeve – Alfa Kontrollin, në Policinë e Kosovës.

Kjo konfirmohet përmes një emaili të qendrës se thirrjeve, të cilën e ka përcjellë nëpërmjet emalit tek Qendra Operative Komunikuese Koordinuese – DPP.

“Me datën 22.06.2020, rreth orës 14:44, në linjën emergjente, nga numri kontaktues xxxxxx është pranuar informata nga dok. N.N. (identiteti i mbulohet), e cila punon në ish-Ndihmën e Shpejtë afër Postes kryesore në “Dardani” se një person i cili quhet N.N. (identiteti i mbulohet) me ditëlindje xxxxxxx nga fshati xxxxx, i cili punon tek ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ka shkuar për të kërkuar ndihmë mjekësore pasi që është rrahur dhe ka të lënduar syrin nga ish-kryeministri Ramushi dhe vëllai i tij Dauti, në kabinetin e tij”, thuhet në email.

Policia më datën 22 qershor ka hapur rast. E ka kualifikuar si “lëndim i lehtë trupor”.

Një gjë të tillë ky institucion e ka konfirmuar përmes një përgjigjeje me shkrim.

“Më, 22.06.2020, Policia është njoftuar se në rrugën ‘Dëshmorit e Kombit’ në Prishtinë ka ndodhur rasti ‘Lëndim i lehtë trupor’. Ankuesi në këtë rast është intervistuar nga ana e policisë, është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore – Departamenti i Përgjithshëm, i cili ka sugjeruar që rasti të iniciohet për veprën penale si më lart. Në koordinim me prokurorin janë ndërmarrë veprimet si në vijim: Janë intervistuar pesë(5) dëshmitarë. Më 16.07.2020 në polici është vetëparaqitur ankuesi dhe ka dhënë deklaratë vullnetare, i cili ka kërkuar që lënda të mbyllet”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

KOHA qe disa ditë ka provuar ta kontaktojë viktimën, e cila, sipas policisë, është tërhequr nga deklarata e parë për sulmin ndaj tij.

Në Prokurorinë Themelore në Prishtinë nuk kanë kthyer përgjigje se pse ende prokuroja e rastit nuk i ka intervistuar vëllezërit Haradinaj. Siç i kanë thënë burimet televizionit, prokurore e këtij rasti është Fatmire Cacaj. KOHA e ka telefonuar prokuroren, por ajo, kur e ka kuptuar nga kush ishte thirrja, e ka mbyllur telefonin.

Përgjigje për implikimin në këtë rast nuk kanë dhënë as Ramush e Daut Haradinaj, edhe pse janë kontaktuar disa herë. Ish-kryeministri nuk ka kthyer përgjigje e deputeti Haradinaj ka thënë se nuk di gjë për këtë rast.

“Unë të thashë që s’kam ide për çka është fjala, po e konsideroj shumë ofendim edhe pyetjen”, ka thënë ai.

Vepra penale “Lëndim i lehtë trupor” është e dënueshme deri në 3 vjet burgim.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë