Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, deklaroi se posti i të parit të shtetit duhet të përcaktohet përmes një mirëkuptimi të përbashkët ndërmjet forcave në pushtet dhe atyre opozitare, përcjell Gazeta Metro.
Ai bëri të qartë se bashkëpunimi me Lëvizja Vetëvendosje do të kishte kuptim vetëm nëse ekziston vullnet për partneritet qeverisës, duke shtuar se në një situatë të tillë mund të shqyrtohen edhe alternativa konkrete për kandidatë. Në të kundërtën, sipas tij, takimet pa përmbajtje mbeten vetëm formale dhe pa ndikim real.
Haliti përmendi edhe mundësinë e një skenari tjetër politik, duke paralajmëruar se mungesa e gatishmërisë nga ana e kryeministrit Albin Kurti për kompromis mund ta shtyjë vendin drejt një procesi të ri zgjedhor. Ai theksoi se përzgjedhja e Presidentit duhet të reflektojë një përfshirje të gjerë politike dhe të mos jetë rezultat i vendimeve të njëanshme.
“Kërkesa ka qenë e diskutuar edhe në parti edhe në grupin parlamentar, kështu që ajo është një kërkesë e jona që duhet me u shqyrtu. Nëse VV është e interesuar për me kthy në koalicion, atëherë hyjmë dhe diskutojmë emra, nëse jo, besoj se sa për t’u takuar dhe për të dal para medieve, nuk është ndonjë interes i madh. Mendoj që Kurti me desht e bën zgjedhjen e presidentit, mos me desht e çon vendin në zgjedhje të reja, nuk besoj që partitë PDK e LDK që janë të interesuara që me çdo kusht me shku vendi në zgjedhje, por e kam mendimin që presidenti duhet të dal nga një tryezë mes pozitës dhe opozitës, që e përfaqëson krejt spektrin politik të Kosovës. Me gjetë një figurë të tillë nuk është e lehtë…”, u shpreh Haliti gjatë paraqitjes së tij televizive në Klan Kosova./gazetametro.net