Deklarata e Tomislav Nikolic se “nëse ka nevojë, do të dërgojë ushtrinë në mënyrë që të mbrojë serbët në Kosovë” është propagandë dhe e papërgjegjshme, vlerëson Dushan Janjic.
Ai për radio-televizionin KIM ka thënë se kjo deklaratë është kundër kushtetuese dhe madje këto deklarata hipotetike për dërgimin e ushtrisë në marrëdhëniet ndërkombëtare trajtohet si kërcënim me armë, transmeton gazetametro.net.
Janjic ka thënë se edhe deklarata e fundit tregon se Nikolic nuk është i aftë për funksionin të cilin e kryen dhe se në luftë për të fituar edhe një mandat, ka vendosur që të krijoj skandale.
“Nga kjo deklaratë të presidentit mund të përfundojmë se ai më nuk është president, se ai flet si kandidat për president”, ka thënë Janjic.
Duke folur për incidentin me tren në vijën Beograd-Mitrovicë, ai ka vlerësuar se ky është një dështim psikologjik-propagandues i cili ka shkaktuar një sërë të aktiviteteve të cilat nuk janë në interes të Serbisë.
Ai shton se dramën e sigurisë dhe diplomatike nuk e ka shkaktuar treni, por video xhirimi në të cilin tregohet kinse minimi i hekurudhës.
“Beogradi duhet të bëjë të qartë se këtë e ka bërë dikush prej tyre, dhe pastaj që të insistoj në hetim ndërkombëtar rreth atij xhirimi dhe kinse minimi. Ky është moment kyç rreth të cilit nuk ka asnjë përgjigje dhe askush nuk merret me të”, ka thënë Janjic.
Ai shtoi se Prishtina e shfrytëzoi situatën me tren në mënyrë që të dërgoj njësitë speciale ROSU në veri, për herë të parë pas vitit 2011./gazetametro.net