Reshjet e shiut që kanë rënë pa ndërprerë natën e mbrëmshme dhe kanë vazhduar edhe paraditën e sotme kanë shkaktuar dëme anembanë Kosovës.
Dëme të mëdha u kanë shkaktuar edhe banorëve të fshatit Krushë e Madhe të Rahovecit. Kryetari i këtij fshati Selami Hoti, përmes një publikimi në rrjetin social Facebook ka treguar se si pasojë e reshjeve të shiut ka pasur rrëshqitje dheu tek shkolla e mesme “Ukshin Hoti” në këtë fshat dhe janë dëmtuar disa prona familjare, transmeton gazetametro.net.
“Ndër më të dëmtuarit janë qytetarët në lagjet e pjesës së poshtme të fshatit për shkak të mbylljes së kanalizimit. Njëri ndër ta është edhe z. Avni Fetah Hoti të cilit përsëri edhe me këto vërshime i është dëmtuar plotësisht kati përdhesë. Dëmet e bëra janë edhe në dhjetra hektarë të mbjellura me kultura vjeshtore si pasojë e daljes nga shtrati të prrockës e cila ka patur të pastrohet që në pranverë, por edhe nga papërgjegjësia e qytetarëve të cilët nuk përkujdesen për kanalizimin dhe prrockat duke hedhur mbeturinat përgjatë rrjedhës së tyre”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ai, pos njoftimit ka falënderuar banorët për punën e tyre vullnetare por edhe zyrtarët komunalë për punën që kanë bërë në kalimin e kësaj situate.
Hoti ka ftuar banorët e Krushës që të lajmërojnë dëmet e shkaktuara sepse që nesër, një komision komunal do të bëj vlerësimin e dëmeve./gazetametro.net