Në foto, Veseli me drejtorë të shkollave
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, po kritikohet nga subjektet politike opozitare në Drenas, se po shfrytëzon kundërligjshëm njerëzit e institucioneve në këtë komunë për të mbështetur kandidaturën për kryetar të Ramiz Lladrovcit.
Vehbi Berisha nga Partia Fjala, po akuzon Veselin se po i interferon në fushatë drejtorët e shkollave në këtë komunë.
“Po në lidhje me ketë unë pikërisht sot pata takim me Komandantin e Policisë në Drenas edhe e ngrita si çështje sepse jo vetëm drejtoret e shkollave por edhe zyrtare të lartë publikë si ministra dhe drejtues tjerë të institucioneve publike janë duke keqpërdor resurset shtetërore në aktivitete partiake gjë që garën për të parin e Komunës së Drenasit e bën garë të pabarabartë sepse kjo garë nuk është ndërmjet neve si kandidat dhe shtetit por ndërmjet kandidateve të subjekteve të ndryshme politike në Drenas”, ka thënë Berisha.
Ai këtë formë e ka cilësuar edhe si presion tek votuesit.
“Fatkeqësisht kjo po ndikon edhe të qytetaret e Drenasit me një lloj presioni publik nga drejtuesit e institucioneve publike, por mjerisht që kjo çështje nuk është e rregulluar me ligj dhe si dukuri e tillë po na shqetëson neve si kandidat por edhe elektoratin tonë. Shpresoj se për ketë do të reagojnë edhe subjektet tjera politike të cilat janë në garë sepse kjo është keqpërdorim pozitës por dhe i resurseve shtetërore të cilat janë pronë e taksapaguesve të vendit”.
Drenas më 4 dhjetor do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ato mbahen pas dorëheqjes së kryetarit Nexhat Demaku, i dënuar për krime lufte. /gazetametro.net