Loading…

Veseli dhe Kabineti i Millka’Gorës: Marria me ‘zbulimin’ e xhamisë arabe më 1289 në Kosovë

  • Nga

  • VALON A.SYLA

  • 25/05/2020 | 20:17

Veseli dhe Kabineti i Millka’Gorës: Marria me ‘zbulimin’ e xhamisë arabe më 1289 në Kosovë

Mjaftoi një propagandë e vjetër boshnjake për një ‘xhami’ mesjetare të ndërtuar më 1289 në Millka’Gorë të Dragashit, 10 vite para themelimit të Perandorisë Osmane (1299) në Azi dhe 100 vite para Betejës së Kosovës (1389), që Kabineti i Kadri Veselit të hyllet në respektimin e saj për festën e Bajramit të Vitrave. E shpallën më të vjetrën në Ballkan, në përpjekje dëshpëruese që të kërkojnë aleatë dhe elektorat pro islamik, duke u bazuar në gojëdhëna torbeshe, që kanë për qëllim të tregojnë se islami ishte arab, është më i vjetër se ai Osman. Çka i duhet kjo Kosovës, PDK’së dhe Kabinetit Veseli? Pse të ofendohet inteligjenca jonë dhe historia për një flirt të lodhët me elektoratin islamik.


Shkruan Valon A. Syla

Hyrje

Për lexuesin e thjeshtë dhe joakademik duket e komplikuar kjo manovër propagandistike që na bën ta shohim Kadri Veselin, që me ndihmën e kabinetit të tij ‘namuzli’ në ditën e Bajramit të Vitrave, shihet në foto duke e ‘zbuluar’ një ‘xhami’ në Gorë, e ndërtuar kinse me 1289, nga një tregtar sirian, nga qyteti i Halepit (Aleppo). Po të ishte kështu kjo ‘xhami’ do të ishte zbulim epokal dhe shkencëtarët nga Stambolli, Riadi, Egjipti por edhe nga Oxfordi e Kembrixhi, të cilët do të vlonin me hulumtime dhe ekspedita në Gorë, sigurisht shumë më herët se kabineti i Kadri Veselit me aftësi shpikëse. Por natyrisht në heshtje të gjithë e dinë që kjo është një trik i ‘Islamit Politik’, i zier nga fondet arabe në Sarajevë për të fryer gjetjen e një identiteti boshnjak, larg influencës osmane, duke krijuar një mit historik që islami boshnjak nuk është vetëm osman, por daton para Osmanëve dhe lidhet me arabë, Siri dhe Halep. Pra një inzhiniering sociologjiko-politik, po aq sa i çmendur dhe qesharak njëkohësisht dhe i pa qëndrueshëm shkencërisht dhe përfundimisht jo valid. Por çka ju dashtë Kadri Veselit dhe PDK’së, të proklamoj një gjë të tillë?

Boshnjaku, Torbeshi dhe ‘xhamia’ e Millkës së Gorës 1289

Boshnjakët e ngratë në telashet e veta identitare, dhe në kërkim të aleatëve islamik jashtë vendit, shpesh herë dalin me teori historike për të fuqizuar identitetin e tyre të brishtë kombëtar se nuk janë turq, serb, apo kroat të islamizuar, por janë diçka special, pra diçka më të veçantë. Ata kanë qejf të quhen edhe ilirë, por jo shqiptar, kanë dëshirë të flasin sllavisht, apo serbo-kroatisht, por mos të jenë të tillë. Ju pëlqen feja islamike dhe Stambolli, ku jetojnë më shumë se 1.5 milionë boshnjakë tash e 120 vjet, por se osmanishtja nuk ju duket ‘in’ apo ‘seksi’ sikur Jugosllavia dikur, që më së miri i përthëkonte në identitetin e tyre si sllavë të jugut edhe pse të islamizuar. Andaj nga Lufta e Parë Botërore, e deri te koha e Ali Izetbegovicit gjatë shthurjes së Jugosllavisë 1990 e pandalur edhe sot, nuk heqin dorë nga përpjekjet në gjetje të një përgjigje që sjell identitet boshnjak, që nuk sulmohet nga serbi, kroati dhe turku, për prejardhje. Për ata hulumtimet historike herë pas herë që i ngjajnë atyre ‘alla Fahri Xharra’ janë shpëtim. Qoftë kjo edhe me shfaqjen e një guri te torbeshët e Millka’Gorës së Dragashit, i cili përshkruhet sikur me do thupra, që dikur sipas gojëdhënave e kishte ndërtuar një ‘faltore’ një tregtar, nga Siria, qyteti i Halepit (Aleppo) i cili i kishte ra andej gjatë rrugëtimit tregtar për në Evropë. Gojëdhëna si Evropë, specifikon duke përmendur vendet si Novi Pazari dhe Sarajeva si pika evropiane, e që tregon mjaft se kjo Evropë është otomane. Në esencë kjo rrugë tregtare është aktivizuar 300 vjet më vonë dhe ka qenë e nxitur nga Pushtimi i Hungarisë dhe Rrethimi i Vjenës nga Sulltan Sylejmani ‘Ligjvënësi’, gjatë kohës së artë të historisë osmane.

Ky guri në Millkë të Gorës, u proklamua si diçka e vjetër, si pjesë e një faltore arabe që e kishin respektuar torbeshët dhe goranët, dhe u dekretua ndërtimi i Xhamisë më 1822. Për ata që se dinë, torbeshët janë popullatë bullgare e islamizuar që quhen torbesh, sepse gjatë udhëtimit të tyre mbanin rraqet në një shtagë shkopi, ku lidhej thesi, i bërë si ‘torbë’ që nga gjuha sllave do të thotë çantë/o (çon në të në shqip), dhe nga torba me shkop, thirreshin torbesh, për t’u dalluar nga bullgarët, turqit dhe pjesa tjetër e islamizuar. Ata njihen si gurëpunues, ndërtimtar, blegtorë, kuzhinier ushtarak osman dhe gjellëbërës në ditët e sotme moderne.

Ndikimi arab dhe osman në Kosovë

Ndikimi arab në Kosovë është minor, pothuajse inekzistent në aspektin kulturor gjatë historisë. Si ndikim fetar dhe politik vjen kah fundi i viteve 90’ta të shekullit 20 dhe shfaqet më i zëshëm pas 11 shtatorit 2001, menjëherë pas sulmit të ‘Kullave Binjake’ në New York dhe rishfaqjes së krizës në Lindje të Mesme. Në Kosovë dhe në Bosnjë frymën arabe të predikimit islamik e sjell shkolla e Kairos së Egjiptit, nëpërmes hoxhallarëve të shkolluar dhe financuar nga atje, kryesisht në Mitrovicë, Novi Pazar dhe Pejë, e deri në Sarajevë, si dhe ajo e Riadit në regjionet e tjera të Kosovës, Maqedoisë dhe Shqipërisë. Të dy këto ndikime luftojnë për kontroll me Stambollin dhe Islamin Turk/Osman, për ndikime politike ekonomike dhe kulturore. Në aspektin historik ndikimi i tyre është gati zero. E që po mundohet të ri-shpiket nga disa te Kabineti Veseli në Millka’Gorë.

Ndikimi real vjen nga Perandoria Osmane. Vlen të theksohet se Xhamia e parë Osmane është ndërtuar pas betejës së Kosovës më 1389/90 në Prishtinë, pas ndërtimit të tyrbes, apo varrit të Sulltan Muratit i cili vdiq në betejë. Kjo tyrbe iu la në përkujdesje Familjes Tyrbedari të Prishtinës, që janë turq me prejardhje e që i la ushtria osmane me detyrë dhe rol religjioz, që të ruajnë tyrben dhe nderin e Sulltanit nga përdhosja e mundhshme, të cilën detyrë e kryen deri në dorëzimin e tyrbes te autoritetet e Shtetit Jugosllav, pas rënies së Perandorisë Osmane.

Kjo familje, mund të jetë edhe ndoshta e para familje islamike në Kosovë dhe daton nga viti 1389/90, e cila ende jeton dhe vepron në Prishtinë. Kishte familje tjera islamike nga Fisnikëria shqiptare në Shqipëri, si bashkëkohës të kësaj periudhe, një nga ta edhe Hamza Kastrioti, por s’kishte të tillë në Kosovë. Kjo ngjarje i bjen rrafsh 100 vjet pas gurit të faltores së Millka’Gorës. Përndryshe Perandoria Osmane nga i cili vjen i gjithë ndikimi islam i regjionit është themeluar më 1299, pra dhjetë vjet pas faltorës së Millka’Gorës në Azi të Vogël, ndërsa në Evropë, për herë të parë me pushtim osmanlitë shkelin më tek në vitin 1354. Perandoria Osmane u shua përfundimisht në vitin 1923, nga e cila lanë shumë xhami dhe islamizoi përafërsisht mbi 50 përqind të shqiptarëve në Ballkan me dëshirë e pa dëshirë.

Uran Ismaili dhe ndikimi islamik te Kabineti Veseli

Uran Ismaili është një nga islamikët shembull që PDK’së kohëve të fundit i ka gjetur për promovim në parti. Imazhi i djalit të mirë, të edukuar dhe musliman, i shkolluar edhe te amerikanët, një djalë i mbarë, biznesmen, përfeksionist dhe besimtar, familjar dhe fetar, por kursesi ‘Wahabi’. Eshtë pikërisht Urani, ky tip perfekt që po e kërkon PDK për ta promovuar si model për të ardhmen politike. Eshtë pikërsht Urani ai që pagëzoi djalin me emrin Omar, dhe jo Ymer, që lidhet me filozofinë së pseudoshkencës së ‘xhamisë së Millka’Gorë’s që një xhami e tregtarit arab ishte, para osmanlive dhe se emri arab Omar është më i saktë dhe i vërteti, sepse Ymeri varianti i dëgjuar dhe i përdorur ndër shqiptarë është emër i shtrembëruar nga osmanët turqelinj. Sidoqoftë e drejtë  personale, por kjo nuk lejon shtrembërimin e historisë.

Pas tij vjen edhe djaloshi i sjellshëm tjetër fetar nga Ferizaji, Avni Bytyqi, me grua të mbuluar dhe i respektueshëm në të gjitha ritet nacionale dhe fetare islamike, që prezenton ftyrën PDK’së si zëdhënës i partisë. Edhe këtu theksohet një dozë e flirtit të PDK’së me islamin, por tendeca të tjera ditore vërehen edhe me Besa Ismailin, me deputeten e mbuluar e cila herën e fundit u pa duke i dorëzuar dokumentet në emër të PDK’së në Gjykatë Kushtetuse, sigurisht për të dhënë mesazh, edhe pse ata anëtarë të PDK, që e kishin shkruar edhe pjesë të kushtetutës nuk dukeshin gjëkundi. Dhe kulminacioni i mesazhit erdhi me Millka’Gorën, arabe, dhe jo otomane për ditën e Bajramit të Vitrave.

E gjitha është një flirt i lodhët me elektoratin islamik, për një grusht vota. Në rregull, ka mënyra tjera që këtë elektorat të tentoj të përthëkoj PDK, apo cilado parti, por jo duke e ofenduar inteligjencën dhe historinë tonë. Fundja, prej kur qenkan kaq interesante tregimet torbeshe, më shumë se tregimet e gojëdhënat e shumta shqiptare, islamike, familjare. Këtë përgjigje nuk besoj se e di as Kabineti i Millka’Gorës, si kombëtar dhe fetarë që janë. Fundja, ne si kemi gajlet e boshnjakëve, apo jo?

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë