Në një intervistë për EkonomiaOnline ai ka thënë se do të mbledhë në një tryezë të gjithë liderët e partive politike për të arritur konsensus të përbashkët për tri temat kryesore.
Veseli më tej i ka bërë thirrje opozitës që të përfshihet në dialogun me Serbinë, duke i ftuar që të marrin, siç ka thënë ai, “rol aktiv”.
“Në fillim të vitit do të marrë një iniciativë, si kryetar i partisë më të madhe, do të kërkoj të mblidhemi në një tryezë të partive politike, të bisedojmë për temat e mëdha për vendin tonë, të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejt me qenësinë e shtetit tonë dhe të ardhmen e vendit. Këtu e kam parasysh çështjen e demarkacionit, Asociacionit, pse jo edhe çështjen e dialogut, pse të mos përfshihet dhe opozita në dialog. Të futemi në pjesën e legjislacionit që ka të bëjë drejtpërdrejt me rritjen e ligjshmërisë në shtetin tonë, me përmirësimin e të bërit biznes, në nxitjen e investitorëve, përmirësimin e bilancit tregtar. Këto gjëra duhet t’i arrijmë bashkë, por opozita nuk duhet të ketë rol bllokues, por rol aktiv në marrjen e përgjegjësive si parti opozitare që janë”, ka thënë Veseli.