Loading…

Veseli i reagon Erdoganit: Kështu nuk forcohet miqësia

  • 01/04/2018 | 13:32

Veseli i reagon Erdoganit: Kështu nuk forcohet miqësia

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se është i befasuar nga deklaratat e Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, për veprimet e Qeverisë së Kosovës, pas rastit të deportimit të 6 shtetasve turq.


Veseli, në një postim ne faqen e tij në Facebook, ka shkruar se deklarime të tilla nuk i kontribuojnë miqësisë mes dy vendeve, Kosovës dhe Turqisë.

Ai ka mbrojtur vendimet e Kryeministrit Ramush Haradinaj, duke thënë se ato janë veprime të një shteti të pavarur.

Më poshtë deklarata e plotë Veselit:

Jemi të befasuar me deklarimet e Presidentit te Republikës së Turqisë, z. Rexhep Taip Erdogan, të drejtuara ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, në një kohë kur institucionet e Republikës së Kosovës po trajtojnë në hollësi veprimet që çuan në arrestimin dhe deportimin nga Kosova në Turqi të gjashtë shtetasve turq.

Këto deklarata janë shqetësuese, sepse vijnë nga lideri i një vendi mik, mbështetja e të cilit shtet është dëshmuar në vazhdimësi para dhe gjatë gjithë ekzistencës së shtetit tonë. Andaj, deklarimet e tilla nuk i kontribuojnë forcimit të miqësisë dhe bashkëpunimit te ndërsjellë, për çka vendi ynë ka qenë dhe është i përkushtuar.

Veprimet e institucioneve të Republikës se Kosovës janë sovrane dhe si të tilla nuk mund t’u nënshtrohen presioneve të jashtme. Në këtë drejtim, edhe marrja në përgjegjësi e bartësve të institucioneve të sigurisë është çështje e brendshme dhe në diskrecion të lidershipit të Kosovës.

Republika e Kosovës do të vazhdojë pa kompromis rrugën e vet evropiane, të forcimit te vlerave perëndimore dhe demokratike, duke ofruar bashkëpunimin e vet me të gjitha ato shtete mike që duan raporte të respektit të ndërsjellë, duke përfshirë edhe Republikën e Turqisë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë