I pari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se gjithë këto javë ka parë hendekun e thellë mes asaj çka duan qytetarët dhe asaj çfarë bëjnë politikanët në debatet e tyre shterpe në ulëset e Kuvendit, në Qeveri, ose në studiot televizive.
Sipas Veselit, ky hendek është krijuar, sepse politikanët kanë pushuar së dëgjuari popullin.
“Partia Demokratike e Kosovës do të jetë partia që dëgjon qytetarët tanë dhe veprimet tona do të vendosen nga nevojat e tyre. Unë e kuptoj se cilat çështje shqetësojnë njerëzit e këtij vendi. Ata duan një lidership që do të krijojë vende pune, që do të rrisë sektorin e bujqësisë, dhe që do të fuqizojë të rinjtë dhe gratë tona për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në zhvillimin e shtetit tonë”, ka thënë Veseli, përcjell gazetametro.net
Kadri Veseli per Politikanët by gazetametro
“Unë i kam kuptuar mirë shqetësimet e qytetarëve tanë dhe kam vendosur të mos pres. Kam vendosur të veproj!”, shtoi ai.
Veseli ka treguar se do të takohet me ekspertë nga e gjithë Kosova dhe me ekspertë ndërkombëtarë, përkitazi me këto tema në një turne gjithëkombëtar për zgjidhjen e problemeve me interes të vendit dhe të qytetarëve tanë.
Ai ka thënë se do t’i dëgjojë nga afër idetë e qytetarëve dhe idetë e ekspertëve, që të mund të ndërtojmë një plan serioz që i adreson këto shqetësime.
“Politikanët nuk i dinë zgjidhjet për të gjitha problemet tona – ata duhet t’i dëgjojnë ekspertët që punojnë në këto fusha, profesorët që ligjërojnë për këto tema, dhe liderët ndërkombëtarë me përvojë jashtë Kosovës”, ka thënë Veseli./gazetametro.net