Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është takuar sot në Tiranë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama
“Të dy liderët biseduan për raportet e ngushta që tashmë të dy shtetet kanë ndërtuar në të gjitha sferat”, bën të ditur një komunikatë e Kuvendit të Kosovës.
Veseli dhe Rama potencuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal, në funksion të zhvillimit të përgjithshëm dhe lehtësimit të rrugës së integrimit euro-atlantik, thuhet në njoftim.
“Veseli vlerësoi rolin që tashmë shteti shqiptar ka në rajon, si faktor i rëndësishëm paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi, por edhe si shembull i reformave në shumë fusha. Kryeministri Edi Rama mbështeti punën e institucioneve të Kosovës në rrugën e integrimeve evropiane”, bën të ditur komunikata.
Veseli e Rama, potencuan se agjenda e përbashkët evropiane është e paalternativë dhe si e tillë duhet të jetë prioritet i institucioneve të të dyja shteteve. /gazetametro.net